Kosova po bën shumë mirë në këtë fushatë kualifikuese për në “Euro 2020”. Dardanëve i duhen edhe dy ndeshje të tjera për të bërë ëndrrën realitet dhe të sigurojnë një biletë kualifikuese në këtë turne. Ata do të ndeshen me Çekinë në Plzen dhe me Anglinë në “Fadil Vokrri”.

Misioni duket shumë i vështirë por jo i pamundur për t’u arritur. Portieri Sajmir Ujkani në një konferencë për shtyp mbrëmjen e sotme theksoi se vëmendja duhet të jetë vetëm tek përballja e së enjtes.

“Ne jemi përqendruar tek sfida e së enjtes ndaj Çekisë e cila është dhe si një finale për ne. Atje duhet me patjetër të japim maksimumin dhe të marrim  rezultat maksimal. Duhet të marrim tre pikët për të bërë ëndrrën realitet, ky është dhe qëllimi ynë. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë. Kemi fatin që në muajin mars të kemi dhe një shans tjetër për tu kualifikuar, por ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e së enjtes, për të marrë rezultatin që na vlen”, tha veterani.

Në Çeki nuk pritet një pritje e ngrohtë nga tifozët vendas, por Ujkani këmbëngul që futbollistët e Kosovës nuk duhet të harxhojnë energji dhe të shpërqendrohen nga ato që mund të ndodhin në tribuna.

“Presioni qëndron mbi çekët, sepse luajnë në shtëpinë e tyre. U vlejnë ndoshta të dy rezultatet, fitorja dhe barazimi, por ne duhet të bëjmë atë që do të na thotë trajneri, duke filluar me këto ritme dhe me pozitivitetin që kemi brenda burgut. Tani se çfarë do të ndodhë në fushë do ta shohim, një pjesë të rëndësishme zënë edhe fati. Ndërsa se çfarë mund të ndodhë jashtë fushës, nuk duhet ta mendojmë. Nuk duhet të humbim energji në këtë pikë”.

Top Channel