Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, kreu i kësaj partie, Isa Mustafa tha se kanë diskutuar për rrjedhën e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për harmonizimin e programit të koalicionit me këtë parti, për çka Isa Mustafa tha se ka pika për të cilat nuk ka pajtueshmëri të plotë.

Sipas Mustafës, kryesia ka vlerësuar që grupi punues ka bërë një punë të shkëlqyeshme.

Kreu i LDK-së para mediave, tha se janë disa çështje të ekonomisë, që nuk kanë arritur pajtueshmëri të plotë me LVV.

“Te çështjet sociale ka disa dallime, sepse ne jemi përcaktuar për ekonomi të tregut”, tha ai.

Sa i përket mandatarit të qeverisë, ai tha se parimisht janë shprehur që do ta pranojmë që kryeministrin ta ketë partia që del e parë dhe i përmbahen kësaj.

Kurse, sa i përket ndarjes së ministrive, tha se do ta diskutojnë me partinë që pritet të ketë koalicion të mundshëm qeverisës.

Ai tha se do të diskutojnë për presidentin dhe kujt i takon ta propozojë atë, por nuk do ta propozojnë tash.

“Unë po shoh që po bëhet zhurmë për presidentin, nuk e kemi rend dite, ne e kemi rend dite zgjedhjen e qeverisë. Të gjitha çështjet që do të dalin gjatë kësaj periudhe, duhet të diskutohen mes partnerëve. Unë asnjë rast nuk kam kërkuar të jem president i Kosovës. Për të do të vendos partia që i takon ta propozoj presidentin e Kosovës”, u shpreh ai.

Top Channel