Kur ka mbetur diçka më shumë se një muaj nga mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE-s, kryeministri Edi Rama për më shumë se 40 minuta është takuar në Berlin me kancelaren Angela Merkel. Një takim i rëndësishëm, që ka ngjallur shpresë për ta kaluar me sukses testin e 18 tetorit në Bruksel.

Duke e quajtur një mike të vërtetë kancelaren Merkel, kryeministri Edi Rama thotë se ishte shumë i inkurajuar nga vlerësimet dhe predispozita positive e saj  ndaj Shqipërisë.

Sakaq një burim nga ky takim i tha Top Channel se “ishte një bashkëbisedim shumë pozitiv duke theksuar se kancelaria Merkel po influencon drejtpërdrejtë në procesin  e çeljes së negociatave, duke marrë lidershipin e këtij procesi”.

Kjo është ajo çfarë ka prodhuar ky takim që do të thotë se zonjës Merkel, e kthyer në lokomotivën e procesit të integrimit,  tashmë i duhet të bindë dhe të mundë skepticizmin e vazhdueshëm e konstant të  Francën dhe Holandës.

Për këtë takim kancelaria Merkel publikoi në Instagram një foto, nga momenti kur kryeminsitri shqiptar i jep një dhuratë. Fotoja shoqërohet me komentin: “Kancelaria Merkel priti kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Kancelari. Politikani, i cili është edhe artist, i solli si dhuratë librin e tij të fundit.”

Në Berlin paraditen e të premtes kryeministri ishte në Bundestagun gjerman ku është takuar me anëtarët e Komitetit të Çështjeve Europiane për të kërkuar një “PO” për çeljen e negociatave.

Më 27 shtator Parlamenti gjerman do të diskutojë propozimin e Qeverisë se cila do të jetë vota gjermane në Këshillin e Ministrave në 18 tetor për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kancelarja Merkel ka deklaruar disa ditë më parë, se Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria kanë rëndësi strategjike për Gjermaninë dhe BE-në. Synimi i Gjermanisë është t’i thotë “PO” çeljes së negociatave me Shqipërinë.

Muhamed Veliu

FOTO GALERI
1/15

Top Channel