Operacioni “Plazh i lirë” në Shëngjin, lirohet një hapësirë rreth 2800 m2 dhe procedohen 8 persona

16/08/2019 09:43

Operacioni për lirimin e plazheve publike ka vijuar në Shëngjin të Lezhës. Si rezultat i këtij operacioni të policisë është liruar rreth 2800 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme dhe janë sekuestruar 542 shezlongë dhe 271 çadra të vendosura në mënyrë të paligjshme, në hapësirat publike.

7 subjekte janë konstatuar se ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e hapësirës publike (rërës), pa paguar detyrimet financiare, si dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga Bashkia Lezhë.

Në përfundim të veprimeve hetimore, janë proceduar penalisht shtetasit G.F., F.K, M.N., E.Ll., Gj.J., E.C. dhe P.Z. për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave”.

Gjithashtu, janë referuar materiale hetimore shtesë për shtetasin A.N. me detyrë ish – Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Lezhë, i proceduar dhe  më parë, pasi ka lejuar këto subjekte të ushtronin aktivitetet në mënyrë të kundërligjshme.

Operacioni po vijon çdo ditë, me shtrirje në të gjithë zonat bregdetare, në territorin e Qarkut Lezhë.

Top Channel