Vitrina e Librit/ Arzoe – Një aromë e re magjike e Botës

12/08/2019 11:58

Proza e shkurtër ARZOE, vjen si një polifoni e vërtetë, e përsosur. Aromë magjike e botës – dashuri, e fuqisë dhe mistereve të saj. Autorja e saj, studiuesja dhe shkrimtarja, Majlinda Rama shprehet se Arzoe është një protagoniste nga ku mund të jemi të gjithë ne. Vajza e bukur dhe e dashuruar me jetën është në kërkim të vetes së saj dhe identitetit.

Ajo është vazhdimisht duke kërkuar më të mirën për veten dhe shpesh herë e ndëshkon atë në mënyrë që gabimet mos t’ia gjejë botës por vetes. Kjo sipas autores është mënyra më e mirë për t’u përmirësuar. Mjeshtre në ndërtimin e lirizmit dramatik të tekst-rrëfimit, Rama balancohet mirë mes të kundërtave: mes ikjes dhe kthimit, mes Po-së dhe Jo-së, mes realitetit dhe ëndrrës, mes pranisë dhe mungesës, trupit dhe shpirtit, mes tokësores dhe qiellores, statuse këto që, pandërprerë zëvendësojnë njëra-tjetrën me lehtësi dhe elegancë, me përsosmëri estetike… Majlinda Rama, me një fund që vjen dhe sjell qetësi, paqe kontemplative, qiellore, e le të hapur dritaren e universit të pafund të dashurisë, në kërkim dhe prurje, të pritura të papritura, diskretshëm edhe ndjesinë për    fluturime të radhës.

 Dy fjalë për autoren

Majlinda Nana Rama është shkrimtare dhe studiuese shqiptare. Ajo konsiderohet si përfaqësuesja më e shquar e brezit të saj letrar dhe një nga emrat e nderuar të letërsisë së sotme shqiptare. Ka shkruar poezi, ese, artikuj shkencorë, studime, kritikë letrare, romane, novela etj

Si shkrimtare, Majlinda Rama u bë e njohur me romanin “Perandorët”, i cili bëri jehonë të madhe për shkak të tematikës së mprehtë, trajtimit dhe mpleksjes fabulare të shumë elementëve. Ky roman, që i hapi rrugën në letërsi, në pak kohë do të bëhej edhe film në Zvicër.

Stili i veçantë i Majlinda Ramës ra menjëherë në sy të kritikëve e studiuesve më të njohur të kohës, si: Ali Aliu, Dritero Agolli, Nasho Jorgaqi, Jorgo Bulo, Klara Kodra, Agim Vinca e shumë të tjerë, të cilët panë te shkrimtarja e re një talent të spikatur.

“… Shkrimtarja dhe studiuesja Majlinda Rama mbetet, padyshim, zëri më përfaqësues në letrat shqipe të kësaj gjenerate, e cila po na dëshmon penë të mprehtë, talent dhe kulturë letrare e krijuese… Një romanciere shumë e mirë dhe më së tepërmi e guximshme…Kam lexuar krijime të Majlindës, në poezi dhe prozë dhe të gjitha këto lexime më sollën të qartë Majlindën si krijuese, shumë e re në moshë, por me një talent të rrallë… Libri i saj, më befasoi për mirë dhe sinqerisht e parashoh të ardhmen letrare të kësaj autoreje. Një krijuese që gjendet mirë në të gjitha gjinitë. Për këta krijues ka nevojë letërsia shqipe…

Në fund të vitit që lamë pas, në botim të shtëpisë “Vatra” në Shkup, doli nga shtypi vëllimi me poezi “Lulet e egra” i shkrimtares Majlinda Rama. Duhet thënë se bëhet fjalë për veprën, deri më sot, më të rëndësishme të kësaj autoreje dhe një nga vëllimet poetike më të rëndësishme të botuara gjatë viteve të fundit në poezinë shqipe. Pas botimit të novelëzave-poema, “Ikja” dhe “Kthimi”, me këtë libër autorja bën një hap të rëndësishëm, të pritshëm, drejt majave të letërsisë shqipe…Në harkun kohor 15 vjeçar, Majlinda Rama po ecën sigurt drejt ndërtimit të profilit të saj në letërsi. E tillë dhe me pretendime, ajo ka bërë progres të shpejtë në zotërimin e diskursit romanor, në fushën e studimeve dhe kritikës dhe në poezi, ku me botimin e librit “Lulet e egra”, për mendimin tim, arrin shkallën më të lartë në krijimtarinë e vet letrare deri më sot”. Edhe romani në prozë ‘ARZOE”’ shfaqet si një polifoni e vërtetë, e përsosur.

Akademik Ali Aliu

 

Skeda e librit

Titulli: Arzoe

Autori: Majlinda Rama

Shtëpia Botuese: AGORA

Viti i Botimit: 2019

Gjinia: Prozë

 

Top Channel