Patozi në Top Talk: nëse opozita reflekton, shumë shpejt hyjmë në zgjedhje

19/07/2019 15:58

I pyetur nga gazetari Denis Dyrnjaja se si zgjidhet kjo krizë politike, Patozi shprehet i bindur se zgjidhja mund të vijë vetëm nëpërmjet zgjedhjeve pasi nuk ka mënyrë tjetër në një vend të lirë dhe demokratik përveçse zgjedhjeve për të zgjidhur krizat.

Por ai shkon edhe më tej kur thotë se në rast se opozita do të reflektojë, atëherë shume shpejt vendi shkon në zgjedhje politike të parakohshme dhe nëse reflektimi nuk ndodh, zgjedhjet do të zhvillohen ne vitin 2021.

“Në rast se opozita do të reflektojë që djegia e mandateve dhe mospjesëmarrja në zgjedhje ishte gabim, pra PD-ja dhe LSI-ja, ne sigurisht që do hyjmë në zgjedhje shpejt, në zgjedhje politike të parakohshme. Mendoj që edhe qeveria nuk ka rrugë tjetër, edhe qeveria duhet te jetë e interesuar që ti japë fund kësaj historie. Qeverisë i takon që këtë krizë përfaqësimi, sepse mbi të gjitha kjo është krizë përfaqësimi sepse një palë apo disa palë politike janë të papërfaqësuara padrejtësisht për shkak të një vendimi të gabuar që nuk mund të vazhdojë gjithë jetën. Ndërsa nëse opozita e shtyn këtë reflektim për arsyet e saj që janë dy, ose kokëfortësia që ne do vazhdojmë deri në fund dhe do ti biem murit me kokë, deri kur të na dali fjala që mund të mos dali kurrë ose nuk janë të gatshëm për zgjedhje shpejt dhe duan ti japin kohë vetes. Pra, në rastin e dytë ne do të kemi zgjedhje të rregullta në vitin 2021 që unë nuk e uroj, pra që ne të shkojmë në vitin 2021 me këtë lloj krize nëpër këmbë. Kjo është një krizë që do bisturi dhe të dyja palët duhet të jenë të prirura që të reflektojnë të dyja pasi edhe qeveria ka përgjegjësitë e veta për mënyrën se si u bënë zgjedhjet megjithëse ata munguan me dëshirën e tyre”, deklaron Patozi.

Top Channel