Ka 7 fëmijë/ Kush është Ursula Von Der Leyen që u zgjodh presidente e KE-së?

18/07/2019 00:36

Anëtarët e Parlamentit Evropian, të martën, ratifikuan gjermanen Ursula Von Der Leyen, si presidente të re të Komisionit Evropian, duke e bërë atë gruan e parë që ulet në postin më të lartë në BE.

Nuk është në fakt kjo hera e parë që ajo ka bërë histori; në 2013 ajo u bë e para ministre e mbrojtjes në Gjermani, pozicion që ajo e ka mbajtur deri më tani.

60 vjeçarja e lindur në Bruksel, ka qenë një aleate e ngushtë e kancelares gjermane Angela Merkel dhe për shumë vite u mendua se do të ishte pasuesja e saj.

Edhe pse i hyri politikës vonë në jetë, Von Der Leyen, nuk ishte e panjohur në të. Babai i saj, Ernst Albrecht, ishte ministër dhe president i saksonisë së poshtme dhe ish drejtor i përgjithshëm i Komisionit Evropian po ashtu. Në moshën 13 vjecare, Von Der Leyen, u zhvendos nga Brukseli në Gjermani, me familjen e saj.

Ajo studioi ekonomi në London School of Economics dhe më pas edhe mjeksi me një specializim në gjinekologji, në Hanover. Ajo ka shtatë fëmijë, diçka relativisht e rrallë në Gjermani.

Sidoqoftë, Von Der Leyen, hyri në politikë në moshën 43 vjeçare dhe që atëherë ka qenë pjesë e Kristian Demokratëve Konservatorë. Në Parlamentin Evropian, ku fitoi me vetëm 9 vota plus, ajo dëshmoi se edhe në epokën e internetit, ka momente kur fjala është vendimtare.

Thuajse deri në fund, ishte e paqartë nëse ajo do të mund të zgjidhej presidente e komisionit të BE, por për Ines Pohl, kryeredaktore e DW, fjalimi i saj, ishte vendimtar.

Feministja e deklaruar u prezantua sociale dhe ekologjiste në fjalën e saj dhe e luajti mjaft mirë kartën e të qënit grua. Sidoqoftë, asaj i duhet shumë punë për të garantuar një presidencë të suksesshme të komisionit, për më tepër, kur ka të bëjë me një Parlament Evropian të ndarë, si asnjëherë tjetër.

Top Channel