Grupi parlamentet i Partisë Socialiste, me urgjencë ka mbledhur pasditen e të hënës firmat për shkarkimin e Arben Malajt si anëtar i bordit të Bankës së Shqipërisë.

Burime nga grupi parlamentar i PS konfirmuan për Top Channel mbledhjen e më shumë se 20 firmave për shkarkimin. Qëndrimet e fundit publike të Arben Malajt konsiderohen nga maxhoranca si shkelje të etikës të detyrës që mban.

Gjatë muajve të fundit zoti Malaj përmes komenteve të shumta në rrjetet sociale ka shprehur kritika të hapura se si qeveria trajton çështjet ekonomike. Me sa duket të tilla komente e qëndrime janë shkaku kësaj përplasje mes maxhorancës dhe Arben Malajt, ish-ministër Financash në qeverinë e Fatos Nanos.

Malaj u votua me 107 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim për të qenë pjesë e bordit drejtues të BKSH. Malaj, ish-deputet i PS-së dhe ish-ministër i Financave, u propozua për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së nga disa deputetë të Partisë Socialiste. Ai zëvendësoi  në këtë post Ermelinda Meksin, e cila në shkurt të 2016 dha dorëheqjen.

Në një prej qëndrimeve të bëra publike në Facebook Arben Malaj shkruante: “Qeveriset me zemër dhe jo me arrogancë. Qeveriset duke rritur barazinë e mundësive dhe jo duke rritur gjobat dhe penalizimet.

Bashkia e Tiranes është modeli me i keq i arrogancës dhe babëzisë.

Veliaj – “ndali” arrogancat, gjobat, dhunën përpara zgjedhjeve dhe u kthye në mënyrën me arrogante dhe abuzive sapo ‘fitoj’.  Por politika është sfida afatgjatë”.

Top Channel