Pasi ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian vendosën që për negociatat të shprehen në tetor, kryeministri Rama ka reaguar duke e cilësuar një lajm pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave.

“Lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave. Pavarësisht luftës pa limite të frontit politik të së keqes, që po bën çmos të sakatojë vendin në sytë e Europës, për të bllokuar negociatat me sharje,kërcënime,molotovë e përgjime baltosëse, Shqipëria po reziston.

Ministrat e jashtëm të BE kanë miratuar në Luksemburg, kalimin tek kryetarët e shteteve të rekomandimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut,me synim muajin tetor. Le t’i rezistojmë deri në fund ofensivës së baltës dhe gurëve kundër Shqipërisë. Të gjithë bashkë në 30 qershor”- tha Kryeministri Edi Rama.

Ministri i jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, u shpreh se vendimi për shtyrjen nuk mund te jetë lajm inkurajues për vendin.

“Shtyrja nuk mund të jetë një lajm inkurajues sepse Shqipëria e ka merituar hapjen e negociatave që muajin e shkuar. Sidoqoftë Shqipëria ka filluar procesin e shqyrtimit analitik të legjislacionit europian. Ka ardhur koha që ka përparim të marrë trajtën e një procesi politik” – tha Gent Cakaj.
Ndërkohë për kryedemokrati Lulzim Basha, shkak i mos hapjes së negociatave, është qeveria e korruptuar.

“Negociatat sot do të ishin hapur, nëse Shqipëria nuk do të kishte qeverinë më të korruptuar në Europë, nëse Shqipëria nuk do të ishte zonë e lirë e drogës dhe e krimit. Europianët nuk duan të mbajnë larg shqiptarë. Ata duan të mbajnë larg qeveritarët e korruptuar”- tha Lulzim Basha.

Reagimi nuk ka munguar as nga ambasadori i Bashkimit Europian, Luixhi Soreka, i cili u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve shqiptare të vazhdojnë të fokusohen në procesin e reformave, në veçanti në atë të drejtësisë, si dhe u bën thirrje të gjitha palëve për të rifilluar urgjentisht një dialog për të kapërcyer situatën aktuale politike, e për ti siguruar vendit vazhdimin e rrugës drejt hyrjes në Bashkimin Europian.

Top Channel