Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një apartament në lagjen “Dyli Haxhire Myzyri” në qytetin e Elbasanit duke mbajtur në panik e ankth për më shumë se dy orë qindra banorë të këtij pallati 12 katësh.

Apartamenti që u përfshi nga flakët u dogj pjesërisht, por aksioni u përqëndrua në shpëtimin e banorëve në apartamentet e tjera ku  rrezikonin asfiksinë për shkak të tymit që përfshiu të gjithë ndërtesën.

Një pjesë e njerëzve, përfshirë fëmijë, u nxorrën nga ballkonet me anë të mjeteve të zjarrfikëses, ndërsa efektivët e policisë dhe zjarrfikëses bënë të mundur hapjen e të gjitha apartamenteve, shoqërimin e njerëzve në ballkone dhe ajrosjen e ambienteve.

Dy fëmijë dhe një e moshuar u shoqëruan në spital me shenja asfiksie, por jashtë rrezikut, po ashtu dy efektivë zjarrfikëse patën probleme shëndetësore gjatë operacionit.

Ka qenë fillimisht vështirë ndërhyrja e zjarrfikëses në rrugicën ku ndodhi ngjarja, për shkak të mjeteve të parkuara, në tension e sipër vetë qytetarët kanë bërë të mundur largimin e mjeteve për të krijuar hapësirë për zjarrfikësen.

Në një pallat me 12 kate, ku numërohen mbi 100 apartamnente, mungonin shkallët e emergjencës apo mjetet të tjera për shpëtimin nga zjarri, kjo e bëri edhe më të vështirë menaxhimin e situatës.

Top Channel