Presidenti Ilir Meta ka zbardhur prapaskenat e marrjes së vendimit për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale.

Gjatë konferencës me gazetarët, Meta deklaroi se Lulzim Basha, kryetar i opozitës, është njoftuar për dekretin e shfuqizimit të 30 qershorit, rreth orës 19:10 të 8 qershorit. Biseda telefonike me Bashën, tha Meta, është e regjistruar.

“Zoti Basha këtë vendim e ka marrë vesh vetëm në orën 19:10 përmes një telefonate zyrtare, dhe për dijeninë tuaj, zoti Basha nuk e ka ditur por le ta marrë vesh tani, e cila ka qenë e regjistruar përmes sekretarisë, ku i është kërkuar të ndërpritet mitingu në çdo moment që do të ketë një manifestim dhune, natyrisht duke i bërë të ditur edhe faktin tjetër që do të bëhej publik, vendimi për të shfuqizuar dekretin për zgjedhjet në mënyrë që të ç’tensionohej sa më shumë manifestimi apo grupet e caktura dhe po kështu që të përfundonte sa më shpejt ai manifestim”, u shpreh Meta.

Në lidhje me një drekë të zhvilluar me ish-kryeministrin Sali Berisha, Meta tha: “Dreka me zotin Berisha nuk ishte sekret, por moment relaksi. Kolegët tuaj (gazetarët) më ftuan, nuk më ftoi zoti Berisha dhe unë pata shumë kënaqësi.”

Presidenti Meta pranoi se gjatë kësaj periudhe krize ka zhvilluar disa takime sekrete me kryeministrin Edi Rama.

“Kemi patur një drekë sekrete, kemi patur disa dhe më e fundit në Pallatin e Brigadave përpara 10 ditësh, ku kemi biseduar dhe ku ai e di shumë e mirë dhe e ka ditur gjithmonë sesa i shqetësuar unë jam për këtë situatë dhe për tejkalimin e saj. I takonte atij si kryeministër të kërkonte shtyrjen për një datë tjetër për zgjedhjet vendore”, tha Meta.

Gjithsesi, presidenti theksoi se nuk e kishte njoftuar Ramën më 8 qershor për vendimin për anulimin e datës së zgjedhjes, ndërkohë që ka patur një përpjekje për t’u lidhur me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.

Gjatë konferencës, Ilir Meta tha se me vendimin për anulimin e 30 qershorit ka bërë të mundur shmangien e një konflikti civil në Shqipëri, që do të provokohej më shumë nga grupe të caktuara jashtë vendit.

Top Channel