Kur i kujton të kaluarën një politikani, ai është momenti më i vështirë. Aty, politikani tjetërsohet, mundohet të sajojë apo të mohojë të vërtetën.

Në këtë situatë ishte edhe ish kryeministri Berisha, kur në emision u hap debate për zgjedhjet e vitit 2009.

Asokohe Rama kërkonte hapjen e kutive, pasi ishin manipuluar votat.

“Rama s’kishte asnjë provë të vetme për vjedhjet e zgjedhjeve të 2009”, deklaroi Berisha në emision.

Rasti Ruzhdies, të cilin analistët i kujtojnë Berishës në Opinion, flet për një shkelje flagrante të atij procesi. Në çështjen konkrete, nga hetimet rezultuan se 111 persona që nga sistemi TIMS ishin jashtë vendit, votuan në këto zgjedhje, ndërsa 80 personave të tjerë u ishte falsifikuar firma, nga 525 votues në total të Ruzhdies, një fshat të pozicionuar në periferi të Fierit.

Në vitin 2011, Gjykata dënoi Komisionerët e PD në Ruzhdie për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentacioni. Por, këto prova nuk u konsideruan të mjaftueshme për të rinumëruar votat në kohën e duhur dhe kutitë u dogjën pak muaj pas zgjedhjeve.

“Besoj që Berisha në atë moment fjalën e kishte për prova reale ashtu siç pretendohet sot se ka përgjime konkrete për blerjen e votës”, tha Mentor Kikia, Gazetar.

“Nuk ka patur shqetësime për blerje votash deri në 2013, nga 2013, në raport të OSBE-së është shtuar problem i blerjes së votës”, tha Robert Rakipllari, Gazetar.

Por nuk ishte vetëm fshati Ruzhdie i denoncuar nga socialistët. Një tjetër indicie ishte në Shkodër, ku në disa kuti, Partia Socialiste në opozitë dilte me zero vota. Konkretisht në KZAZ-në nr. 42, Qendra e Votimit nr. 186 rezultati ishte PD = 93 vota, PS = 0 vota; Në KZAZ-në nr. 44, Qendra e Votimit nr. 38: PD = 153 vota – PS = 0 vota; në Qendrën e Votimit nr. 75: PD = 111 vota – PS = 0 vota. Në këto qendra është votuar pa karta identiteti dhe pa pasaporta gjë që duket nga mos shënimi i numrit të dokumenteve të identifikimit në proces-verbale.

Top Channel