Në revolucionin e pritshëm të kësaj vere në kampin e Real Madrid, emri më i bujshëm për t’u sakrifikuar do të jetë ai i Gareth Bale.

“Mister 100-milionëshi” që u soll me bujë te skuadra “merengues”, është praktikisht i ndarë në aventurën e tij në La Liga, por negociatat mes uellsianit dhe klubit madrilen po kthehen shpejt në luftë frontale.

“Nuk do ta kisha aktivizuar Bale edhe nëse do të kisha në dispozicion ndërrimin e katërt”, tha trajneri Zinedine Zidane kur u pyet për sulmuesin, një sinjal i qartë se askush tashmë në stafin teknik dhe mes tifozëve nuk e do më në përfaqësimin e fanelës së “Blancos”. Pas përfundimit të ndeshjes ndaj Betisit, që sanksionoi sezonin më negativ në La Liga të Realit, anësori uellsian nuk përdori aspak gjuhë diplomatike.

“Kam ende 3 vjet kontratë dhe nëse duan që unë të largohem, duhet të më paguajnë 17 milionë euro neto në sezon. Në të kundërt, qëndroj këtu edhe nëse do më duhet të luaj golf”, deklaroi Bale.

Kontrata e futbollistit përfundon në vitin 2022, por duket se askush nuk po e kërkon më Gareth Bale në merkato. Mosha e tij dhe vlera në rënie, kombinuar me pagën stratosferike që i garanton Reali, e bëjnë Gareth Bale, një lojtar që thuajse askush nuk pranon më të vërë bast mbi të.

Top Channel