Arenxi është vetëm 26 vjeç, dhe para një muaji u diagnostikua me leucemi akute.

I shtruar në pavionin e hematologjisë në QSUT, veç dhimbjeve fizike dhe shpirtërore, ai së bashku me familjen i duhet të përballet me mungesën e ilaçeve.

Top Channel ka mësuar se Tretinoin (Vesanoid) nuk është në listën e miratuar të barnave spitalore, për këtë arsye ky ilaç mungon në spital, por që është i nevojshëm për kurimin e sëmundjes së Arenxit, dhe mjekët ua kërkojnë.

“Ky ilaç gjendet vetëm jashtë shtetit, këtu nuk gjendet. Pyesnin gjithmonë ‘A e gjetët ilaçin?’, I thoshim jo akoma. Por gjendja përkeqësohet përgjigjeshin”.

“Për një muaj kemi paguar 1500 euro. E kemi siguruar me borxhe, nëpër miq; edhe atë në mënyrë ilegale se thonë nuk futen në Shqipëri, nuk dimë se ku të përplasemi. E pamundur, deri tani na kanë ndihmuar por është një mjekim i gjatë ai”.

Ndër të tjera, familjarët e 26 vjeçarit tregojnë se nuk është vetëm ky medikament që mungon.

“Unë dje shkova i çova analizat dhe mjeku më tha gjendja është përkeqësuar, do bëjmë kërkesën te banka për gjak. Shkoja e pyesja, më thoshte akoma s’ka ardhur kanë shkuar infermieret ta marrin. Ndërkohë sot më tha ska nevojë për gjak.”

Mjekët e nxorën të riun nga spitali një ditë më parë, me arsyetimin se ishte përmirësuar, por s’kaluan as disa orë dhe ai u rikthye në urgjencë për shkak të temperaturës së lartë.

Të gjendur në këtë situatë të papritur, i ati i Arenxit ka ndërprerë punën si polic privat, ndërsa e ëma dhe e motra nuk punojnë, po ashtu edhe bashkëshortja. Ndihma e çdokujt do të ishte shumë për këtë familje.

Top Channel