Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur në një takim përfaqësuesit e shtetit, që do të jenë pjesë e dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se takimi ka dhënë rezultate pozitive, pasi kanë qëndrim unifikues për takimin e Parisit.

Me gjithë këtë, për dallim nga kryeministri Haradinaj, i cili ka shprehur vendim të prerë për masën mbrojtëse, Veseli ka thënë se vendimi për të do të merret në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e Bashkimit Europian.

“Kurrë s’kemi për t’u nënshtruar ndaj Serbisë dhe ndaj Vuçiçit. E marrim vendimin sipas interesit tonë si shtet i pavarur dhe sovran, me maturi e me mençuri, sipas asaj që thonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë”, tha Kadri Veseli.

Veseli ka shtuar se, presin që SHBA-të në të ardhmen të kenë një përfshirje më të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problemeve me Serbinë.

“Një nga shtetet më domethënëse, mike për Kosovën, por edhe me rolin më të fuqishëm global në rruzullin tokës është SHBA”, tha më tej Kadri Veseli.

Si përfundim, kryeparlamentari ka thënë se sovraniteti i Kosovës nuk do të jetë asnjëherë pjesë e diskutimeve.

Top Channel