“Daily Mail” shkruan sërish për luanët e mjerë në Shqipëri: Janë bllokuar në rrethime të vogla (Foto)

15/04/2019 18:58

Tre luanë të shpëtuar nga “kopshti zoologjik më i keq në Evropë” janë bllokuar në Shqipëri, duke u mbajtur në rrethime shumë të vogla.

12-vjeçari Zhaku dhe djemtë e tij 8-vjeçarë, Boby dhe Lenci, kanë “ngelur” peng i veprimeve burokratike, çka nuk u lejon atyre të largohen nga Shqipëria për të filluar një jetë të re.

“Që nga tetori, ata mbahen në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, qëkurse u morën nga një park privat i kafshëve në Fier, të kequshqyer dhe në kushte tronditëse”, shkruan britanikja “Daily Mail”.

Kafshëve të tjera u janë gjetur shtëpi të reja, shkruan “Daily Mail”, por luanët kanë mbetur të bllokuar në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, i cili nuk ka një reputacion të mirë.

Gazeta shkruan se organizata ndërkombëtare për kafshët “Four Paws” (Katër Putrat) është përpjekur dy herë për të nxjerrë luanët nga Shqipëria, por autoritetet refuzojnë të lëshojnë dokumentet e duhura. Ministria shqiptare e Turizmit tha për “Mail Online” se luanët mund të mbahen në kafazet e tyre të vogla deri në shtator.

Një zëdhënëse tha: “Pronari i kopshtit zoologjik ku ishin fillimisht kafshët ka ngritur një padi për dëmtim të biznesit. Derisa kjo çështje të zgjidhet nga gjykata, kafshët do qëndrojnë në Shqipëri. Kjo mund të zgjasë së paku deri në shtator”.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel