Për herë të dytë, por në tokë asnjanëse, kryeminisri Edi Rama është takuar me homologun grek, Alexis Tsipras, për rreth 90 minuta gjatë Samitit “16+1” në Kroaci.

Zyra e shtypit në Kryeministri thotë se biseda mes kryeministrave shqiptar dhe grek u përqëndrua në reformat e ndërmarra nga Shqipëria, me synim hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, si dhe në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe, jo vetëm në rrafshin politik e të fqinjësisë së mirë, por edhe në shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja.

Ndërkohë, një burim diplomatik nga qeveria greke i tha Top Channel se, takimi u zhvillua në një klimë pozitive dhe ishte e përqëndruar në dy akse kryesore. Së pari, tek ecuria europiane e Shqipërisë dhe reformat e domosdoshme për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE; e së dyti, marrëdhëniet dypalëshe, kryesisht në aspektin ekonomik.

Kryeminsitri Tsipras ka theksuar edhe njëherë se, kusht kryesor për fillimin e negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE është respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Në këtë kuadër, dy kryeministrat diskutuan për pozicionimin e qartë të BE-së në lidhje me të drejtat e pronës, si dhe të ligjit përkatës të së drejtës së qytetarëve për pronat.

Pala greke mori sqarimet e duhura lidhur me situatën e pronave në jug të vendit, ndërsa pala shqiptare premtoi përmirësimin e mëtejshëm të situatës në zonat e minoritetit. Nuk përjashtohet edhe një vizitë e kryeministrit shqiptar në Athinë, e cila me gjasë mund të zhvillohet në fund të pranverës së këtij viti.

Kjo do të mundësonte – sipas burimeve, – edhe firmosjen e ratifikimim e disa prej marrëveshjeve, të cilat kanë përfunduari së negociuari mes vendeve. Gjatë takimit, Tsipras është shprehur se “ligji i luftës” mes dy vendeve është një plagë e shëmtuar.

Top Channel