Romani “Pusi” i Kim Mehmetit, sjell një vështrim ndryshe të mënyrës sesi gruaja shqiptare ka një rol të rëndësishëm jo vetëm në ruajtjen e gjuhës shqipes por dhe të identitetit.

Në një bisedë për Vitrinën e Librit, Mehmeti shprehet se burri është një qenie që ka mbijetuar mbi shpinën e gruas shqiptare. Më së miri, vazhdon ai, unë mund ta dëshmoj këtë gjë te ne, shqiptarët e Maqedonisë. Nëse e sheh nga këndvështrimi individual, atëherë njeriu është pus kujtimesh dhe shkallë shpresash gjatë gjithë jetës së vet. Po edhe nga këndvështrimi i kolektivitetit, gjërat janë të atilla shpjegon Mehmeti, dhe neve nëse vëreni, shpesh na ndodh diçka e çuditshme, flasim për entitetin, po për entitet të ri kosovar, entitet të këtillë apo entitet të atillë, në të vërtetë ne harrojmë diçka se pusi më i thellë i të gjithë kohërave nuk është as Shqipëria, as Kosova, por është shqiptaria, d.m.th. shqiptaria ka lindur Shqipërinë dhe Kosovën, andaj ne duhet t’i përkushtohemi. Duhet t’i përkushtohemi kujtimit dhe që është bazament i çdo gjejë.

Në këtë kontekst edhe romani im flet për një familje ku duhet të kujdeset, pra pusi tregon thellësi familjare, thellësinë e kujtesës dhe sa më i thellë është pusi i kujtesës aq më të gjata dhe më të largëta mund të jenë shkallët e shpresave, shkallët nëpërmjet të cilave duhet të ngjiten gjeneratat e reja. Kim Mehmeti nënvizon me qartësi se me sa duket ne këtë e harrojmë, prandaj nëse e vëreni te ne shqiptarët kjo shpjegohet në mënyrë shumë më prozaike, ne e para që bëjmë kur trashëgojmë diçka e prishim shtëpinë e prindërve, dhe i marrim gjithë vjetërsinë atij pusi që të sjellim çdo gjë të re nga Italia, nga Perëndimi. Nëse nuk e ruan të trashëguarën, ti s’di ta çmosh edhe atë që mund ta blesh vetë.

Në përpjekjen për të përshkruar jetën e tij, personazhi kryesor në veprën e Kim Mehmetit, sjell jo vetëm rrugëtimin e një shkrimtari të suksesshëm në Maqedoni por edhe rrugëtimin e një etnie në kërkim të vetes. Maqedonia e Veriut ashtu si pjesa më e madhe e vendeve të ish-Jugosllavisë, nuk e ka mbaruar ende procesin e njohjes të së kaluarës historike. Ne dimë shumë pak mbi historinë e shqiptarëve të Maqedonisë, zhvendosjet e tyre historike por dhe mënyrën se si ka funksionuar familja shqiptare.

Romani “Pusi” i Kim Mehmetit është një roman mbi identitetin dhe familjen. Është një roman i shkruar lehtë dhe pa zhurmë por duke hapur brenda teje, teksa e lexon, jetë që të kujtojnë të shkuarën tonë.

Fragment nga libri “PUSI”

Sa i përket pusit në mes të oborrit, e gjithë thellësia tij ishte e muruar me gurë, të cilët i kishte mbuluar myshku. Dhe tani vjen diçka që nuk e di se vallë a është e vërtetë apo trill i imagjinatës sime fëmijërore, por që gjithmonë më ringjallet në kujtesë sa herë që ndërmend nënën dhe shtëpinë time të lindjes. Nuk e di në ç’moshë kam qenë, madje mund të kem qenë ende i palindur, kur nënës sime i ishte kujtuar të mbillte lule edhe mes zbrazëtirave që ndanin gurët me të cilët ishte muruar thellësia e pusit. Më kot im atë mundohej ta bindte se diçka e tillë ishte e rrezikshme dhe se lulet e varura nëpër muret e pusit do t’i ndillnin bletët dhe insektet e tjera, të cilat do të ngordhnin dhe do të ndotnin ujin në fund të pusit, por ajo nuk lëshoi pe. Kështu që im atë u detyrua të ndreqte një palë shkallë të gjata sa gjithë thellësia e pusit dhe t’i mundësonte nënës të zbriste poshtë mureve, të mbushte zbrazëtirat mes gurëve me baltë, ku pastaj të mbillte xhunxhulka. Kështu që përpos hapësirës rreth pusit tani ishte zbukuruar me lule e gjithë thellësia e pusit, era e mirë e të cilave vinte edhe nga brenda tij.

Në pranverën e parë, pasi ime më mbolli lule edhe nëpër muret që rrethonin thellësinë e pusit, në ujin e tij u dukën peshq të vegjël, me pika kuqaloshe mbi shpinë. Kur i pa të vezullonin në syprinën e ujit, nëna u gëzua si fëmijë dhe na thirri të gjithëve që të shihnim atë bukuri të paparë. Peshqit e vegjël notonin në tufë dhe dukeshin si një damar shumëngjyrësh, që sillej rreth e rrotull në fund të pusit. Kur e pyetëm nënën se nga kishin ardhur peshqit e pusit tonë, ajo na tha se ata kishin celur nga poleni i luleve që binte mbi syprinën e ujit.

 

Skeda e Librit

Autor: Kim Mehmeti

Gjinia: Roman

Redaktore: Alda Bardhyli

Top Channel