Investimet aktuale ruse në Serbi aktualisht arrijnë në 4 miliardë dollarë, ndërsa Moska ka premtuar 500 milionë të tjera për dy vitet e ardhshme, e konfirmuar kjo nga vetë kreu i Fondit të Investimeve të Drejtpërdrejta Ruse, Kirill Dmitriev.

Ndërkaq, Rusia ka arritur të dominojë tregun e gazit natyror dhe naftës në Serbi, pas blerjes së 51 % të aksioneve të kompanisë shtetërore të naftës NIS në 2008-ën. Ndërkaq Serbia importon 75 % të gati natyror nga Rusia. Ajo çka është interesante është se sipas sondazheve, shumë serbë besojnë se partneri më i madh për tregtinë, ndihmat dhe ushtrinë është Rusia. Por në fakt, 65 % e tregtisë së Serbisë bëhet me vendet e BE-së.

“Investimet ruse në Serbi nuk janë rritur. Mendoj se nuk ka pasur fare ndryshim. Jemi ende prapa për sa i përket regjimit pa taksa me Federatën ruse. Qeveria e tanishme, që ka shtatë vite në pushtet është e zënë duke mbyllur mediat e duke kontrolluar informacionin dhe duke shtypur qytetarët ndaj s’i kushtojnë shumë vëmendje gjërave thelbësore si tregtia dhe zhvillimi ekonomik. Besojnë se ekonomia është të japësh rroga e pensione të ulëta në Europë dhe që krahu i lirë i punës do të tërheqë investues të huaj. Qëllimi është të vazhdojmë marrëdhënie sa më të mira me Rusinë si dhe të vazhdojmë rrugën për në BE. Serbia është shoqëri interesante, sepse jemi të gjithë kundër anëtarësimit në NATO. Pra, praktikisht, marrëdhëniet me Moskën janë jo vetëm ekonomike por është një traditë e gjatë dhe shembuj të mirë historikë me mbështetje dhe bashkëpunim nga Moska”, deklaron Stefanoviç.

Borko Stefanoviç, njihet nga opinion publik shqiptar si kryenegociatori serb në bisedimet mes Prishtinës e Beogradit me ndërmjetësimin e Brukselit. Ai ka qënë mjaft aktiv në Partinë Demokratike të Serbisë, derisa në 2015-ën u shkëput për të themeluar partinë e tij e Majta Serbe.

Ishte pikërisht sulmi fizik ndaj tij në dhjetor të vitit të kaluar në Krushevc që shërbeu si shkëndijë për nisjen e protestave kundër qeverisë së Aleksandër Vuçiç.

Top Channel