Eksponentja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ku ka akuzuar se raporti i OKB-së e rendit Shqipërinë në 15 vendet më të korruptuara në botë.

Sipas Tabakut, raporti i OKB-së është i radhës i “armiqve të jashtëm që i bëjnë dëm qeverisë”, dhe konfirmon pohimet e mëparshme të DASH dhe Transparency International.

Duke renditur disa nga abuzimet më të mëdha të qeverisë, Tabaku akuzoi se kjo e fundit po u hedh “hi syve” qytetarëve, nëpërmjet spektaklit në shesh.

Ja reagimi i plotë i Jorida Tabakut:
Në lëmin e armiqve të jashtëm që i bëjnë dëm qeverisë, raporti i OKB është i radhës.

Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet në 15 vendet më të korruptuara të botës, duke konfirmuar kësisoj se çdo qelizë e shtetit shqiptar është e mbërthyer nga ethet e korrupsionit.

Ndërkohë që raporte të tilla, vazhdojnë të konfirmojnë pohimet e DASH apo Transparency International, qeveria harxhon paratë publike për spektaklin e radhës në shesh.

Për t’u hedhur hi syve të shqiptarëve mbi korrupsionin me ligje speciale, me tendera dhe koncesione, me lejet e ndërtimit, hartimin e VKM-ve. Për të manipuluar të vërtetën mbi korrupsionin në policinë e shtetit, arsimin publik, shëndetësinë, financat dhe kështu me radhë.

Korrupsion që sot po pengon të rinjtë të punësohen duke i detyruar të largohen. Korrupsion që sot falimenton 50 biznese në ditë, po përqendron pasurinë në një grusht njerëzish.

– Sot 7 nga 7 projektet e programit 1 miliard euro, jepen me ofertë të pa kërkuar, pra pa garë!

– Sot 41% e tenderave i jepen fituesve pa asnjë garë!

– Sot 11 oligarkët e denoncuar nga PD, nëpërmjet 19 shoqërive, kanë përfituar në 2018-ën, 242 tendera.

– Sot, nga buxheti i shtetit në xhepin e të paktën 4 deputetëve të PS kanë shkuar 48 tendera vetëm për vitin 2018.

Kryefjala e çdo raporti apo pyetësori është korrupsioni. Ai po pengon procesin e integrimit, po pengon investitorët e huaj, po pengon biznesin vendas të zhvillohet, po pengon Shqipërinë të ecë përpara!

Ky sistem i ideuar nga arkitekti Rama, ia ka nxirë faqen Shqipërisë dhe po ua merr shpirtin shqiptarëve. Prandaj meriton të rrëzohet një herë e më parë!

Top Channel