Pas qëndrimit të SHBA javën e shkuar, edhe Gjermania shprehet e prerë se qeveria dhe parlamenti janë legjitim.

“Qeveria Federale do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me qeverinë aktuale të legjitimuar në mënyrë demokratike si dhe mbajtësit e mandateve në Kuvend”, tha ajo.

Në emër të qeverisë gjermane ambasadorja Suzan Schulz komenton lënien e mandateve nga opozita dhe ata që i zëvendësuan.

“Ne respektojmë vendimin e secilit deputet dhe të pasuesve të tyre në lista për dorëzimin, pranimin apo refuzimin e mandateve. Njëkohshëm theksoj, se në demokraci parlamenti është vendi kryesor për zhvillimin e debatit politik mes partive politike”, u shpreh Schulz
Ambasadorja gjermane ndalet edhe në zhvillimet që lidhen me vendimin e Qershorit në Bruksel.

“Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes të rëndësishme të Bashkimit Evropian lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ndaj tani nuk duhet humbur kohë , në mënyrë që reformat e nisura të vijojnë më tej dhe të arrihen rezultate të tjera konkrete në pesë prioritetet kyç”, tha Schulz.

Ndërsa për reformën në drejtësi përfaqësuesja e Berlinit në Tiranë thotë:
“Përshëndes faktin që – edhe pse ngadalë – reforma në drejtësi po ecën përpara në mënyrë të pandërprerë. Ajo është një sukses; ndaj procesit të reformave nuk ka alternativë, ai është i pakthyeshëm dhe unik në rajon. E rëndësishme është që edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, si instrumenta të rëndësishëm korrektivë të shtetit ligjor, të mund të jenë së shpejti sërish funksionale”, shtoi ambasadorja gjermane.

Për SPAK Gjermania kërkon asnjë vonesë.

“Përpara duhet të çohet edhe ngritja e strukturës së SPAK-ut. Ne presim hapa të tjerë përpara edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha këto përpjekje janë të rëndësishme për të bindur shqiptaret dhe shqiptarët , por edhe investitorët e huaj, që drejtësia shqiptare garanton siguri ligjore”, tha ajo.

Deklaratën e saj ambsadorja gjermane e mbyll me një keqardhje të madhe sic thekson ajo, që megjithë bashkëpunimin fillimisht të mirë mes shumicës dhe opozitës, reforma zgjedhore deri më tani nuk është miratuar.

Top Channel