“Një errësirë kaq e vogël, që të merr frymën, vetëm në varr duhet të jetë,”- i shkoi në mendje dhe zbuloi kokën e trembur nga një rrëfim i largët i gjyshes, që i erdhi atë cast në kujtesë. Ajo i kishte treguar historinë e një nuseje të re të sapomartuar që e kishin varrosur të gjallë. Natën e parë të martesës burri nuk e kishte gjetur të virgjër. Sipas zakonit ditën e hënë duhej të kthehej te shtëpia e prindërve të saj, si e pandershme. Këta të fundit duke iu lutën dhëndrit t’ua kthente vajzën pas tre muajsh për të mos u turpëruar në sy të botës. Ai pranoi dhe për një arsye tjetër, e donte shumë nusen. Thuhej se ajo ishte vajza më e bukur e asaj krahine, por pas martesës asnjë nuk e pa më. Pas tre muajsh kur e kthyen te prindërit një natë dimri, ata e futën në varr të gjallë me shpresë se do të tregonte kush e kishte virgjëruar. Nusja nuk tregoi. Ata e lanë atje. Ajo klithi dhe kërkoi ndihmë sa iu shua fryma në errësirën dhe lagështirën e atij varri të ftohtë. E megjithatë nuk tregoi. Ende në atë vend sipas gjyshes në një orë të caktuar të natës dëgjohen klithmat e saj. Është shpirti i nuses që nuk e ka tretur dheu, kërkon ende ndihmë… ”  

 

Shqiptarët mendojnë se ata janë qenie engjëllorësh, por kanë rënë në një vend a në një politikë diajsh, ndaj vuajnë e torturohen. Ndaj vrasin e vetëvriten. Si frymorët e guvës, e shpellës së Platonit, shqiptarët ende nuk e kanë përtypur dritën. Jemi njerëzit që ende na tremb drita. Cila është drama e përshkruar në romanin “Shpirti i humbur” të Fatmira Aliaj?

Ngjarja merr shkas nga një realitet shqiptar. Eva, protagonistja e romanit “Shpirti i humbur” drejton revistën e një shoqate për gra në nevojë. Profesioni ia do që të hetojë rrethanat mbi gra që vriten nga burrat dhe gra që trafikohen.

Disa prej tyre janë gra të bukura, të shëndetshme shpirtërisht dhe fizikisht. Si gjah i lehtë ndaj rrethanave zhvlerësuese, sado që rezistojnë me dinjitet, jeta nuk i kursen. Eva është disi ndryshe, por jo larg një realiteti të tillë. Një grua e bukur, një botë e bukur në një realitet të egër. Kjo është Eva e romanit të  Fatmira Aliajt. Burri i saj është i padenjë. Në radio, në tv gjejmë ngado personazhe grash me shumë vlera që dhunohen a poshtërohen nga burra të padenjë, të mangët seksualisht, të penguar mendërisht, a të frustuar psiqikisht. Romani të përfshin në një botë ku gruaja është veçanërisht e bukur. Ka në mendjen e saj ide shumë të çmura mbi jetën, ka njomësi e hijeshi, pasuri shpirtërore këto që duhet jo vetëm t’i lexosh. Diku të vjen ndërmend Shekspiri me monologun e Hamletit ku thuhet se qeniet me vlerë marrin padrejtësisht aq goditje nga të pavlerët, sa ua bëjnë të dashur vetëvrasjen.

Eva si mendje e bukur shkruan publicistikë, shkruan libra, drejton një revistë, dhe e bën të suksesshëm në treg produktin e saj intelektual. Ka fuqi të përballojë një divorc dhe të rrisë një vajzë pa asnjë ndihmë. U reziston burrave zullumqarë, që mendojnë se një grua e tillë në nevojë mund të jetë pre i lehtë për ta.

Ajo përballon, së fundi dhe një ankth ekzistencial ekstrem ku të vë sëmundja që nuk ka alternativë tjetër, veç fundit. Në kushte të tilla mes jetës a vdekjes i jepet dhe një dashurie. Në jetën e mëparshme ajo e kishte mbyllur me gardhe veten. Sëmundja e bën të hapur. Është njerëzore. Po vallë, a nuk e meriton ngrohtësinë e të qenit e dashuruar? Një gjetje poetike. E zhgënjyer ajo po ikën nga Shqipëria, jo se është e paaftë. Ajo i ka fituar të gjitha betejat intime a sociale, shpirtërore a profesionale. Detyrohet të largohet kur mbetet vetëm dhe e papunë. Romani njëherësh ngërthen bashkëkohësinë, temën e aktuales me universalen. Është tema e gruas, e femrës në shqisën e së sotmes tek shqiptarët e kohës së tranzicionit dhe tema universale e femërores në botën e burrit, të mashkullit e femrës që mbetet femër dhe para atit, para burrit dhe para birit në gjithësinë e jetës që përtërihet. Libri është shkruar me një prozë të cilësisë së mirë. Me gjuhë të zgjedhur, me një sintaksë që tirret lehtësisht, me fjali e fraza që shkasin dhe shkojnë butë e ëmbël te kuptimësitë që mëtojnë të shprehin. Vende-vende, jo si qëllim në vete, proza e Fatmira Aliajt merr ngjyrat e poezisë, gjithmonë duke i mbetur rreptësisht besnike të shprehurit në prozë.

Top Channel