Vitrina e librit/ Ashtu si dashuritë nga Javier Marias, përkthyer nga Bashkim Shehu

04/03/2019 11:03

“Hera e fundit që e pash Migel Desvernin ose Devernin ishte gjithashtu hera e fundit që e pa e shoqja…” , kështu nis romani “Ashtu si dashuritë” i shkrimtarit të mirënjohur spanjoll Javier Marias.

Në një kafe në Madrid, çdo ditë Maria Dolz vëzhgon dy të panjohur, një burrë e një grua, dhe mahnitet nga lumturia që ata rrezatojnë. Si të ishin personazhet e dashur të një romani, ajo e adhuron ciftin dhe i uron ‘cdo gjë të mirë në këtë botë’ duke shpresuar që historia e tyre të gëzojë përherë lumturi. Por mundësia e një fundi të tillë, copëtohet befas në një mënyrë brutale, sepse burri, Miguel Desvern, vritet krejt rastësisht. Pak kohë më pas, papritur, kjo ngjarje tragjike po në dukje e qartë, rikthehet duke e përfshirë Marian e duke ia zbehur të gjitha siguritë, aq sa ajo arrin të pyesë veten nëse ai realitet i përgjuar së jashtmi në atë kafe nuk ishte veçse fshehje e një tjetre jete, me shumë probleme dhe veprime okulte. Kurioziteti e shtyn Marian të flas me gruan dhe pa dashur e gjen vetën të përfshirë në këtë çështje si askush tjetër. Ngjarjet do të rrokullisen dhe vetëm Maria do të mund të mësojë të vërtetën ose të asaj që i paraqitet si e vërteta, fundja kush mund ta njohë plotësisht atë?

Të rënit në dashuri, vrasja dhe vdekja… janë koncepte që na vijnë, në këtë roman, në një mënyrë sa filozofike aq edhe të prekshme, aq tronditëse sa mbeten gjatë në mendje. “Zilia… ky helm përftohet në gjirin e miqve tanë më të ngushtë dhe ne i mbajmë si të tillë duke pasur besim në ta dhe janë më të dëmshëm se armiqtë e hapur.”

“Në parim, njeriu nuk e do vdekjen e atyre që i ka aq pranë saqë pothuajse përbëjnë jetën e tij, po ndonjëherë e kapim veten gafil duke hamendësuar se çfarë do të ndodhte po të zhdukej ndonjëri syresh. Në disa raste, ky hamendësim vjen nga frika apo nga tmerri, nga dashuria e tepërt që kemi prej tyre dhe nga paniku i humbjes së tyre.”

Kështu, Marias na sjell një sërë të vërtetash, të cilat tashmë lexuesi i di, po nuk guxon kurrë t’i thotë me zë të lartë. Pikërish këtu qëndron madhështia e veprës së tij. Përmes dialogjeve të personazheve kryesorë, shkrimtari na risjell 3 romane të njohura të letërsisë botëtore: “Makbethi” nga Shekspir (gjithmonë Shekspiri i pranishëm në romanet e Marias), “Tre Musketjerët” nga Aleksander Dyma dhe “Kolonel Shaberi” nga Balzak. Përmes tyre, autori na bën të reflektojmë mbi to, të trembemi, të drithërohemi për të na shënuar në mendje ide dhe mundësi mbresëlënëse. “Është roman dhe ajo që ndodh në romane s’ka rëndësi dhe harrohet, pasi mbaron leximin. Interesante janë mundësite dhe idetë që na injektojnë dhe na sjellin përmes rasteve të tyre imagjinare, ato na mbetet më të qarta se ngjarjet reale dhe i kemi më shumë parasysh.” – shkruan Marias.

Edhe pse ngjarja e këtij romani vështirë të harrohet lehtësisht, është e vërtetë se ajo ç’ka ai përcjell, ndjesitë dhe përshtjellimet janë jo vetëm të paharrueshme por edhe ta pamundura për të treguar pa lexuar romanin. Romani “Ashtu si dashuritë” i Javier Marias, shkrimtarit të njohur spanjoll është cilësuar si një roman me subjekt sa misterioz po aq edhe joshës; aty ka mashtrim, histori dashurie por dhe vrasje.  “Ashtu si dashuritë” prej kritikës është vlerësuar si një ndër romanet më të jashtëzakonshëm që Marias ka shkruar ndonjëherë. Do e shihni se ai do ju tërheqë që në faqet e para. Për lexuesin shqiptar e sjell atë në shqip Bashkim Shehu.

Pjesë nga libri

Mos e gënje veten: në një vështrim afatgjatë, madje edhe afatmesëm, të gjithë i shkundin tek e fundit nga vetja të vdekurit, ky është fati i tyre i mbramë, dhe më e mundshmja është që edhe këta të japin pëlqimin për këtë lloj mase dhe se, pasi e kuptojnë dhe e pranojnë gjendjen e tyre, nuk janë të prirur të kthehen. Kush e ka lënë jetën, kush i ka larë duart me të, edhe nëse kundër vullnetit dhe nëse e kanë vrarë dhe për fatin e tij të keq, nuk do të donte të futej prapë në të, ta rifillonte mundimin e madh të të jetuarit.

Top Channel