Vitrina e librit/ Murtaja nga Albert Camus përkthyer nga Bashkim Shehu

25/02/2019 09:43

Mes një shovinizmi në rritje dhe revoltës populiste, letërsia e së ashtuquajturës “mesnata e shekullit” i rikthehet edhe njëherë vëmendjes së publikut.

Përgjatë viteve 1930-1950, ndërsa fashizmi dhe komunizmi po konkurronin njëri -tjetrin, makthet krijuan forma të reja të dhunshme ndërsa shkrimtarët u bënë dëshmitarë të luftës së madhe, krimeve edhe më të mëdha e rrjedhimisht përdorimit të armëve më të fuqishme në historinë e njerëzimit.

Pak shkrimtarë sikurse Albert Camus, pranonin që vdekjen ta trajtonin si subjekt të punës së tyre. Nga të gjitha romanet e Camus, një prej romancierëve dhe eseistëve më të mëdhenj të shek. të 20-të, asnjëra prej tyre nuk e përshkroi konfrontimin e njeriut e mbase dhe bashkëjetesën me vdekjen kaq gjallërisht dhe në një shkallë të tillë epike, sa romani ‘Murtaja’. Historia që Camus sjell, është ajo e një grupi njerëzish, që përballen me një sëmundje që po merr nga dita në ditë, jetë njerëzish. Mes ngjarjeve ballafaqohemi me guximin, frikën dhe të menduarit që shfaqet në çdo histori mbi përpjekjet e banorëve të Afrikës Perëndimore për të përballur Ebolan. Romani i vendos ngjarjet në qytetin algjerian Oran, përshkruar si një qytet bregdetar i ngathët e i pluhurosur , “ndërtuar me shpinën e kthyer nga porti”. Ngjarja nis kur protagonisti Dr. Rieux, fillon të shohë minjtë e ngordhur. Shpejt edhe njerëzit po bien përdhe të vdekur e me gjasa, Oran e gjen veten në karantinë, të izoluar nga pjesa tjetër e botës. Nuk kalon shumë kohë ndërsa qindra njerëz po vdesin çdo ditë: funeralet zëvendësohen me ceremoni të shpejta varrimi pas dyerve të mbyllura të varrezave. Shpejt nis dhuna dhe grabitjet. E ndërsa trupat e pajetë bëhen pirgje, nis të mbizotërojë klima e dëshpërimit dhe dorëzimit.

Albert Camus në romanin ‘Murtaja’, don t’i japë lexuesit një shpjegim të saktë të asaj cfarë ndodh në të vërtetë, shkruar kjo në formë alegorike. Përmes leximit kuptohet qartë se murtaja që ai përshkruan nënkupton ‘Rajhun e Tretë’. E shkruar në vitin 1947, kur bota sapo kish dalë nga një fitore mbi të keqen e madhe, sic ishte nazizmi me sloganin “Kurrë më”, Camus këmbëngul që ‘murtaja’ e ardhshme mund ‘t’i zgjojë sërish minjtë e saj’. Nëse një grup kritikësh këmbëngulin se romani është një reflektim mbi ‘shpërfilljen metafizike të njeriut në botë’, të tjerë mbështesin idenë se romani përcjell histori të një ‘murtaje’ tjetër: ajo e një kapitalizmi destruktiv dhe hiper-materialist. Shoqëria jonë është absurde, cilëson shkrimtari, ndaj dhe romani im shqyrton marrëdhënien tonë me absurditetin e kohës moderne. Aty përshkruhet murtaja në një shoqëri që gjëmon fantazmagorinë e saj në të gjithë botën e varfër, ndërsa milionat priten të mbërrijnë prej anijeve të vdekjes. Shkruar si një alegori për jetën në Parisin e pushtuar, romani i Kamysë nuk është një portret nga afër i së keqes apo dominimit. Në vend të kësaj, ai shërben si një udhërrëfyes për viktimizimin dhe dëshpërimin që sjell një krizë jashtë kontrollit: kjo është edhe arsyeja, përse romani rezonoi më shumë se çdo gjë tjetër gjatë mesnatës së shekullit të kaluar. Historia përsëritet si atëherë. Me miliona njerëz sërish janë duke parë pasaportat e tyra dhe duke hamendësuar se ku dhe kur mund të jenë të mirëpritur. E cuditshme që nevoja jonë për shpëtim është po kaq e vërtetë sa ç’ishte 70 vjet më parë, kur protagonisti i Camus, del në përfundimin se “ka më shumë gjëra tek njerëzit që duhen admiruar, sesa ato që duhen përbuzur”.

Pjesë nga romani:

Një ditë para dyqanit të Krishtlindjes, Zhana, e cila po vështronte e mrekulluar vitrinën, u kthye nga ai dhe i tha: “Sa bukur!” Ai i shtrëngoi kycin e dorës. Pikërisht atëherë vendosën të martoheshin. Pjesa tjetër e asaj historie sipas Grandit ishte shumë e thjeshtë. Kështu është për të gjithë: njeriu martohet, vazhdon të dashurojë nga pak, punon. Punon aq shumë sa që harron të dashurojë. Për shkak të lodhjes, ai ishte përhumbur, ishte bërë gjithnjë e më i heshtur dhe nuk ia kishte ushqyer gruas së tij aq të re idenë se e donte. Një burrë që punon, varfëria, e ardhmja që mbyllet ngadalë, heshtja mbrëmjeve rrotull tryezës, në këtë lloj bote nuk ka vend për pasione. Pas cdo gjase, Zhana kishte vuajtur. Megjithatë kish ndenjur: ndodh që të vuash gjatë pa e ditur. 

Top Channel