Kjo nuk është një histori reklamash, as një histori perfeksioni para grimit televiziv, por një histori personale dashurie mes një çifti që ka kaluar edhe vëshitirësi, por që mënyra sesi i kanë zgjidhur i ka sjellë bashkë deri këtu.

Ata kanë ngritur biznesin e tyre nga zero, një qendër kujdesi ndaj vetes; punojnë së bashku, kanë rritur dy djem dhe kryefjala e çdo sipërmarrjeje është dashuria. Në ambientet e tyre të punës dëgjohen këngë dashurie për Shën Valentin, por edhe frekuenca e Top Albania Radios, që ka lindur në ditën e dashurisë plot 21 vite më parë.

“Gëzuar Shën Valentinin të gjithëve dhe dhurata jonë, për të gjithë ju që po na ndiqni, është historia e një çifti. Ne do të sjellim dashurinë e znj. Vasilika dhe z. Ylli Selaj. Ndodhemi përballë 36 trëndafilave, sepse kaq vite ka edhe historia e dashurisë së tyre”.

E festoni Shën Valentinin, apo është një nga ato ditët e zakonshme të dashurisë suaj?

– Për ne është një ditë e zakonshme dhe nuk është e thënë që të festohet dashuria, sepse dashuria duhet të festohet gjatë të gjithë ditëve të vitit dhe gjatë viteve që përfaqësojnë trendafilat dhe nuk kemi bërë ndonjë gjë të veçantë, nuk kam pritur dhurata materiale. Çdo vit i është shtuar nga një trëndafil dhe kjo i ka dhënë shumë kuptim dashurisë sonë.

– E shikoj si një ditë të veçantë, sepse të gjitha ditët e vitit duhet të jenë të mbushura me dashuri.

– Ne jemi njohur në tren dhe ka qenë dashuri me shikimin e parë dhe mua më kujton filmin “Romancë në trenin orient ekspres”. Ne jemi njohur në udhëtim dhe vazhdojmë të udhëtojmë bashkë për kaq vite.

– Ki parasysh që treni nga Tirana në Pogradec merrte nja 8 orë udhëtimi, apo shtatë orë e gjysmë, dhe gjatë kohës që vajzat u ulën te ne diskutonim për librat, për shkollën, për filmat.

Ka ndonjë ndryshim nga ajo kohë me kohën sot? Si e keni marrë propozimin për martesë?

– Vjen një ditë e bukur dhe më thonë shoqet: Lika, Ylli do të të thotë diçka. Megjithatë s’ishte nevoja të ma thonin se unë në njëfarë mënyre e ndieja. Pas një viti e kemi lënë dhe ishte një propozim shumë i thjeshtë, pa këto të sotmet.

– Ne martesën e pamë vetëm si gjë e bukur, nuk e pamë si gjë e vështirë. Pastaj, natyrshëm erdhi në jetë fëmija i parë, Andi; më vonë pas 6 vitesh edhe Kristi, e vjen një ditë që djali i vogël i thotë Likës, a do marrë fund ndonjë ditë dashuria juaj?

Po xheloz jeni ju?

Xhelozia është pjesë e dashurisë, ajo xhelozia e bukur, me kripë, që i jep bukuri, sepse nuk mund të thuash që jo, unë nuk jam xheloz.

Ka pasur ndonjë moment kur jeni ndierë ngushtë, vështirë dhe znj. Vasilika ka qenë aty dhe ju keni thënë që jam me fat që kam një grua të tillë?

– Marrëdhëniet në çift kanë ulje dhe ngritje. Kanë probleme. Ka probleme financiare dhe më e keqja ka probleme shëndetësore dhe ne i kemi kaluar. Pastaj, kur ke në krah një partner që të udhëheq dhe të thotë se ne jemi bashkë, nuk jemi vetëm. Do ta kalojmë këtë situatë, edhe tjetrën, dhe kjo është pjesë e dashurisë.

– Aty ku ka vështirësi unë ngul këmbë, sepse unë besoj fort në atë që unë dua të bëj, siç besova te dashuria, te prindërimi dhe gjithçka që më rrethon e dua. Një person duhet vizën që të jep Zoti, ta jetojë.

– Ka lider marrëdhënia juaj?

– Jo. Lider jemi të dy, nuk është ti je i parë, unë i dytë. Është shumë e barabartë gjëja.

– Një dashuri që të jetojë duhet të lidhet pa as më të voglin interes financiar, material.

– Dashuria, dashuria, dashuria dhe vetëm dashuria, jo interesi.

– Përgjegjësia jonë është që këtë ta transmetojmë edhe te fëmijët, sepse një familje e shëndoshë, një familje është bërthama e dashurisë.

Faleminderit dhe paçi dashuri sa më të gjatë!

Top Channel