Efektivja e plagosur gjatë protestës së banorëve të Unazës së Re, para godinës së Kuvendit, Ina Nuka, ka qenë sot në ambasadën turke për një vizitë falënderimi.

Në një video të Policisë së Shtetit, Nuka shihet se ka qenë e shoqëruar nga drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

“Znj. Nuka falënderoi ambasadën e Turqisë, Presidentin e Turqisë, mjekët që kryen operacionin, përfaqësuesit e ambasadës shqiptare në Turqi, për impenjimin dhe ndihmën duke bërë të mundur rikuperimin e gishtave të dorës”, thuhet më tej në njoftim.

NJOFTIMI I POLICISË

Ina Nuka, vizitë falënderimi në Ambasadën turke në Tiranë

Punonjësja e Policisë Ina Nuka, e cila mbeti e plagosur gjatë protestës së 22 Nëntorit përpara Parlamentit të Shqipërisë, paraditen e sotme, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu zhvilloi një vizitë falënderimi në ambasadën turke në Tiranë. Aty u prit nga Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.

Znj. Nuka falënderoi ambasadën e Turqisë, Presidentin e Turqisë, mjekët që kryen operacionin, përfaqësuesit e ambasadës shqiptare në Turqi, për impenjimin dhe ndihmën duke bërë të mundur rikuperimin e gishtave të dorës.

Drejtori Veliu shprehu vlerësime për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë punonjëses së Policisë.

Ambasadori Yörük i uroi shërim të shpejtë Ina Nukës. “Jam i lumtur që sot e shikoj motrën tonë të qeshur dhe të gatshme për t’u rikthyer në punë. Miqësia e dy popujve tanë është e përjetshme dhe ne përsëri edhe në të ardhmen do jemi të gatshëm për të mbështetur vëllezërit tanë shqiptarë”, nënvizoi ambasadori turk.

Top Channel