Humbi jetën në derën e spitalit. Endacaku 68-vjeçar vdiq nga i ftohti, vuante nga diabeti

15/01/2019 19:52

Vetëm disa metra larg urgjencës së QSUT-së gjeti vdekjen 68-vjeçari i pastrehë Hasan Hykja.

Qendrat sociale nuk kishin vend për një të sëmurë me këmbë diabetike, e Hasani pa mbështetje, i vetëm, paraqitej prej kohësh pranë QSUT-së për të kërkuar ndihmë, por i mbyllej dera.

Ndihmë kërkon edhe Abaz Duka, i cili prej kohësh vuan nga probleme shëndetësore e ndihet i diskriminuar për arsyen se është i vetëm.

“Shkova për shtrim, më lanë 4 ditë pa ngrënë e pa pirë se nuk kam njeri. E më thanë që “nuk kemi vend, ça të të bëjmë”. Që të shikojë njeri këtë gjendje që jam, unë është për të qarë”, thotë Abazi.

Ditët e ftohta të dimrit kanë krijuar radhë të gjata në urgjencën e QSUT dhe jo vetëm endacakët nuk kanë marrë shërbimin mjekësor në kohë, por gjithashtu edhe qytetarët të cilët kanë një strehëz për të qëndruar.

“Unë kam nënën këtu brenda, kam që dje. Është te urgjenca, akoma presim që të hapen vende andej nga spitali që të shtrohet. Nuk ka vende thonë”, shprehet një qytetar.

“Kemi më shumë se një orë. Mjekët na kanë thënë të presim këtu”, thotë një tjetër.

Top Channel