“Bashkëqeverisja nuk do të përfundojë këtu, do të vazhdojë edhe më tej. Qytetarëve do të përpiqemi t’u zgjidhim gjithmonë hallin, ndërsa masa ndëshkimore ndaj shkelësve është shumë e madhe. Këtë gjë nuk e kemi gjë të re, por e kemi filozofi”, do të shprehej mes të tjerave ministri socialist Blendi Klosi, i ftuar këtë të martë në emisionin Top Talk të gazetarit Denis Dyrnjaja.

Por, brenda kësaj filozofie u duk sikur Klosi foli për një qeverisje të mbarë dhe të mirë…

“Jo, po thoja se ne pranojmë që kemi defekte, si çdo qenie administrative apo njerëzore. Ne nuk jemi as engjëj, e as më të mirët e kësaj bote. Por ne kemi një cilësi, që e dëshmuam edhe me lëvizjet e fundit: ne dimë të reflektojmë! Edi Rama di të reflektojë, mazhoranca di të reflektojë, Partia Socialiste di të orientohet në shërbim të interesave të qytetarëve. Këtë dimension tonin, të tjerët e kanë, për të mos thënë fare, shumë-shumë të vogël. Pas ngritjes së studentëve në protestë, të gjithë e mirëpritën. Sapo dalin titullarët e opozitës, të të dy partive të mëdha në opozitë, njerëzit nuk mund të mirëpresin ato gjëra që thuhen nga disa njerëz që kanë drejtuar sistemin për vite e dekada të tëra dhe kanë bërë një pjesë shumë të madhe të gabimeve, për të cilat studentët protestojnë sot”, tha Klosi.

Në fund të intervistës është risjellë në vëmendje një reportazh i ZDF-së gjermane, mbi situatën jo vetëm politike, por edhe sociale të Shqipërisë. Ai flet për një pakënaqësi mbarëpopullore në raport me të gjithë klasën politike dhe një zhgënjim.

A janë konshientë për këtë qeveritarët dhe a ka një ndryshim, apo kanë në fokusin e tyre një qëllim për të ndryshuar? Shqipëria faktikisht nuk është edhe aq “digjitale” edhe për qytetarët në Kukës apo në Konispol. A mos duhet të ulet pak me “këmbë në tokë” qeveria, e cila është në gjysmën e mandatit të dytë dhe duket shumë e konsumuar për të shkuar deri në fund të mandatit?

“Koha e politikës nuk mbaron kurrë. Në politikë kërkohen gjithmonë ndryshime. Ndryshohet një grup për të ardhur një grup tjetër, për të bërë edhe më mirë. Në këtë kuadër, nuk është se ka protesta apo lëvizje antipolitike vetëm në Shqipëri, por kudo. Bota është si një tren, ku përditë e më shumë kërkohen risi dhe qeverisje të reja. Ne këtë dimension kemi dhe ato çfarë ne bëmë dëshmuan që nuk mund të ecnim më tej pa bërë ndryshime në sektorë të caktuar, jo vetëm në nivel qeverisës, në nivelin e lartë, por edhe në nivele të tjera, për t’iu shërbyer më mirë njerëzve”, deklaroi Klosi.

Top Channel