Debati në OKB, Vuçiç: Dialog, pas heqjes së taksës; Thaçi: Ushtria, aspak kërcënim!

18/12/2018 17:12

“Dialogu Prishtinë-Beograd do të vazhdojë vetëm kur të hiqet taksa mbi produktet serbe”, deklaroi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

“Ne do të vazhdojmë dialogun sapo ata t’i heqin tarifat. Nuk jam shumë optimist dhe po ju them se shqetësimet e mia sot janë më të mëdha nga sa kanë qenë dje. Shpresoj që një ditë do të jemi në gjendje ta arrijmë këtë marrëveshje me Prishtinën, por në periudhën e fundit, çdo gjë që ata kanë bërë ka qenë e papërgjegjshme dhe na ka çuar 7 apo 8 vite mbrapa. Kemi nevojë për mbështetjen e OKB-së”, tha Vuçiç.

Këshilli i Sigurimit u mblodh me kërkesë të Serbisë, për të diskutuar mbi vendimin e Parlamentit të Kosovës për ta kthyer Forcën e Sigurisë në ushtri.

Vuçiç u ankua se, një veprim i tillë rrezikon qëndrueshmërinë e të gjithë rajonit, por presidenti Hashim Thaçi iu kundërpërgjigj duke i numëruar krimet e Serbisë në luftën e Kosovës. Ai e bëri të qartë se, vendimi për krijimin e ushtrisë së Kosovës është i pakthyeshëm dhe garantoi se ajo do të jetë kontribuese e qëndrueshmërisë në rajon.

“Nëse Kosova ka bërë ndonjë gabim është se ka pritur 5 vite për themelimin e ushtrisë, pa qenë nevoja. Si president dhe komandant suprem u them se ushtria e Kosovës sjell më shumë paqe dhe stabilitet. Ajo nuk është dhe nuk do të jetë kërcënim për askënd”, tha Thaçi.

Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi ndërkohë se beson që liberalizimi i vizave mund të ndodhë përpara Vitit të Ri. “Nëse Serbia është e gatshme, – shtoi ai, – ne sot merremi vesh dhe po sot hiqet taksa”.

Top Channel