OKB, miratohet pakti për refugjatët. SHBA-Hungari votojnë kundër

17/12/2018 19:29

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar këtë të hënë me një shumicë të gjerë një marrëveshje globale mbi refugjatët, që synon të përmirësojë përpjekjet për menaxhimin e lëvizjet e mëdha të refugjatëve, por gjithsesi pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Hungarisë.

Pakti për refugjatët, që nuk provokoi aspak debate siç bëri pakti i ngjashëm mbi emigracionin, u miratua me votat e 181 vendeve. Vetëm dy ishin votat kundër, SHBA dhe Hungari, ndërsa 3 të tjerë abstenuan, e ata ishin Republika Domenikane, Eritrea dhe Libia.

Ngjashëm me marrëveshjen globale për emigracion të sigurtë, të kontrolluar dhe të rregullt, edhe pakti për refugjatët nuk është ligjërisht detyrues.

Dy marrëveshjet globale rrjedhin nga e ashtuquajtura Deklaratë e Nju Jorkut, e miratuar unanimisht nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në shtator të vitit 2016, me objektivin për të menaxhuar sa më mirë flukset e emigrantëve dhe refugjatëve në mbarë botën.

Kontrata e nënshkruar nën kujdesin e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët me seli në Gjenevë (UNHCR) shpreson të sigurojë përgjigjen e përshtatshme ndërkombëtare ndaj lëvizjeve të shkallës së gjerë të refugjatëve dhe zhvendosjet e zgjatura të tyre.

Presidentja e Asamblesë së Përgjithshme, Maria Fernanda Espinosa tha për “AFP”-në se, pakti do të ndihmojë në forcimin e asistencës ndaj tyre dhe mbrojtjen e mbi 25 milionë refugjatëve në mbarë globin, e është bazuar gjithashtu në ndarjen e barrës dhe përgjegjësisë mes të gjithëve.

Duke votuar kundër, Hungaria tha se asnjë marrëveshje e tillë nuk ishte e nevojshme. Ndërsa Shtetet e Bashkuara arsyetuan se, ndonëse ka mbështetur shumicën e pakteve mbi refugjatët deri më sot, nuk mbështet pjesën që ka të bëjë me limitimin e qendrave të mbajtjes së azilkërkuesve.

Top Channel