Ish-avokati i Trumpit, drejt një burgu që “do t’i kthejë lirinë”

13/12/2018 13:25

Michael Cohen tha në gjyq se, ka jetuar në një burg personal e mendor në kohën kur punonte për Donald Trumpin, dhe se dënimi me 3 vite heqje lirie, në mënyrë ironike do t’i kthejë praktikisht lirinë.

Kjo, sipas CNN-it, deri diku mund të jetë e vërtetë, për faktin e thjeshtë se ish-avokati i presidentit do të mbyllet në një burg të sigurisë minimale, jo shumë larg Nju Jorkut.

Institucioni në fjalë, “FCI Otisville”, është parë shpeshherë si burgu i preferuar për të ashtuquajturit shkelës “me jaka të bardha”.

Në vitin 2009, “Forbes” e vendosi në listën e 10 burgjeve më të rehatshme në Amerikë. Cohen, që dikur deklaronte se ishte gati të bënte gjithçka për presidentin Trump, u dënua të mërkurën me 36 muaj burgim nga një gjykatë në Uashington.

Prokurorët kishin kërkuar që dënimi të ishte 4 deri në 5 vite burg, për krime të lidhura me financat e fushatës, sidomos pagesat prej mijëra dollarësh për dy gra, që thonë se kanë pasur marrëdhënie me Trumpin.

Dokumentet e gjykatës tregojnë se dënimi i tij mund të ketë të bëjë edhe me gënjeshtra ndaj Kongresit, si dhe mashtrime bankare dhe me taksat, lidhur me aktivitetin e tij personal.

Top Channel