Komisioneri Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ka bërë thirrje për zgjidhjen e të gjitha çështjeve bilaterale me Serbinë.

Kështu deklaroi ai gjatë një konference për shtyp, duke aluduar sidomos në taksën e vendosur nga institucionet e Kosovës në raport me produktet nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

“Po punojmë për largimin e barrierave tregtare. Kosova ka bërë shumë për të kontribuar në gjithë këtë. Ka punuar në shumë fusha dhe çështje në zonën ekonomike rajonale dhe në CEFTA. Të gjithë kemi qenë të befasuar dhe të zhgënjyer kur u vendosën tarifat doganore ndaj Serbisë dhe kjo nuk duhet të mbetet në fuqi, por të fokusohemi në fushat e lartpërmendura dhe jemi në BE, jemi në dijeni për vështirësitë aktuale në tregti dhe në të gjitha takimet e mia kam propozuar që të fokusohemi në zgjidhjen e çdo gjëje që ka të bëjë me tregtinë ndërmjet dy vendeve”, deklaroi Hahn.

Gjatë konferencës për shtyp, Hahn foli edhe rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim, ai theksoi se e kupton padurimin e qytetarëve, por edhe të politikanëve: “Puna është kryer nga Kosova dhe ishte radha jonë të implementojmë dhe kjo ka nisur me raportin dhe është marrë Parlamenti, i cili ka vendosur me një shumicë. Tashmë, çështja ndodhet në Këshillin Evropian, i cili merr më së shumti kohë për ta kaluar këtë hap të procesit dhe kam besim dhe se data 2020 është më realiste, por mos u mbani peng i numrave”.

Komisioneri Hahn, ndër të tjera, takoi sot në takime të ndara Presidentin, kryeparlamentarin dhe kryeministrin e Kosovës.

Top Channel