Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë në nivele të kënaqshme, pavarësisht se kohëve të fundit është arritur progres. Kështu, të dyja shtetet po punojnë për lehtësimin e procedurave doganore, për t’i ndihmuar tregtarët në të bërit biznes.

Sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, produktet e shteteve tona duhet të qarkullojnë pa barriera.

“Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës duhet të mendojnë se produkti i Kosovës dhe i Shqipërisë është një dhe lëvizja e lirë e mallrave në të dyja anët duhet të jetë pa kufi”, tha Agim Shahini, kryetar i AKB-së.

Ndërkohë, Shahini ka shprehur pakënaqësitë e tij lidhur me bashkëpunimin e vet biznesmenëve të një kombi.

“Kemi pasur disa raste, të disa kompanive të Kosovës, të cilat janë tërhequr nga Shqipëria për shkaqe sigurie dhe ky është një lajm i keq. Kryeministri Rama mund të bëjë më shumë”, tha më tej Agim Shahini.

Më 26 nëntor u mbajt mbledhja e përbashkët e të dyja qeverive. Këtë vit, shkëmbimet ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë qenë 230 milionë euro.

Top Channel