Pas 7 vendimeve të dhëna me një frymë nga shkalla e dytë e vettingut, e që janë të gjitha shkarkime, për të tetin Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të hapë letrat.

Gjyqtarët e KPA-së vendosën të riçelin pjesërisht hetimin administrativ për gjyqtarin e lartë, Edmond Islamaj.

Hetimi i pjesshëm administrativ do të zhvillohet për komponentin e pasurive; mbi një truall në Karpen të Kavajës, 3 pasuri që zotëron bashkëjetuesja e gjyqtarit, si dhe mbi të ardhurat e babait të Edmond Islamajt.

  Rivetohet Edmond Islamaj. Paraqiten pretendime për pasurinë e gjyqtarit

Për tokën në Karpen kërkohen prova shtesë për të hedhur dritë sesi kaluan 1.000 metra katrorë truall, nga tokë shtetërore nën pronësi të gjyqtarit.

Nga ana tjetër, Komisioneri Publik kundërshton edhe faktin se toka në Karpen është blerë me një çmim preferencial.

Njëkohësisht, KPA-ja deklaroi se, pasi gjyqtari i lartë ishte konfirmuar nga shkalla e parë, 4 qytetarë kishin dorëzuar denoncime në shkallën e dytë, të cilat do t’iu nënshtrohen verifikimeve të Islamajt.

Çështja “Islamaj” u ankimua nga Komisioneri Publik, që pretendon se shkalla e parë e vettingut nuk i ka kryer siç duhet kontrollet e trefishta dhe se nuk ka ndjekur të njëjtin standard si me të tjerët.

Edmond Islamaj është një nga 4 gjyqtarët e lartë që u konfirmuan në detyrë, ndërsa 5 anëtarë të tjerë të gjykatës supreme u shkarkuan. Prej kohësh, Gjykata e Lartë vuan nga stoku i dosjeve, një stok që ka shënuar një rekord të ri prej 30 mijë dosjesh që presin.

Top Channel