Këmbëngulja për riçelje të hetimit administrativ i Komisionerit Publik që përfaqëson interesat e qytetarëve në procecin e vetting-ut, kanë vënë në pikëpyetje fatin dhe karrierën e gjyqtarit të lartë, Edmond Islamaj.

Zoti Islamaj është gjithashtu edhe një nga 4 anëtarët e Gjykatës Supreme që kaluan sitat e trefishta të vetting-ut dhe gjithashtu edhe i vetmi anëtar i Kolegjit Penal që ka mbetur në detyrë.

5 muaj pasi u konfirmua në detyrë, kontrolli i gjyqtarit të lartë, Edmond Islamaj do të jetë një çështje që do të marrë formë të prerë në Shqipëri, vetëm pasi të shprehet Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Janë kundërshtimet e komisionerit publik që pretendon se shkalla e parë e vetting-ut nuk i ka bërë llogaritë siç duhet, se nuk ka përdorur të njëjtin standard kontrolli si për të tjerët që u bënë shkak për përballjen e Islamajt sërish me vetting-un.

Komisioneri publik Florian Ballhysa tha se blerja e një trualli në Karpen, 25-fish më lirë sesa çmimi real është e dyshimtë. Por, gjyqtari i lartë replikoi duke përmendur se kjo pasuri është kullotë, e pashfrytëzueshme dhe pa insfrastrukturë. Në funksion të mbrojtjes, Islamaj paraqiti edhe prova të reja si procedura e kalimit të truallit në pronësi, nga një person që e posedonte tokën disa vite më parë shitblerjes dhe jo një muaj siç pretendon komisioneri publik.

Për gjetjen tjetër të komisionerit që ngriti dyshime mbi të ardhurat e Sonila Toskës, Islamaj paraqiti kurrikulumin e bashkëjetueses e cila rezulton të ketë punuar në organizata ndërkombëtare. Por, komisioneri publik akuzoi shkallën e parë të vetting-ut se nuk kishte përdorur një standard hetimi për 64 udhëtimet e Islamajt jashtë Shqipërisë, ashtu siç për të tjerë ka investiguar edhe në adresat pritëse.

Po ju bashkangjis adresat e pritësve, shtoi gjyqtari i lartë, një pjesë e tyre janë aktivitete pune e të tjerat, udhëtime me autoveturë në Ballkan. Komisioneri publik ngriti si shqetësim indiferencën e prokurorisë për t’iu përgjigjur organeve të vetting-ut për 12 episode të përdorimit të automjeteve të disa shtetasve të tjerë nga Edmond Islamaj, mbi pyetjen a kishin apo jo këta persona rekorde kriminale. Gjyqtari u përgjigj se ai gjithmonë ka udhëtuar vetëm me automjetin e tij.

Për shqyrtimin e provave të reja, KPA caktoi të premten si ditën kur do të mbahet seanca e radhës.

Top Channel