Roger Federer e mori veten nga disfata me Nishikorin në ndeshjen e parë të ATP Tour Finals që po zhvillohet në Londër.

Tenisti zviceran mundi në sfidën e dytë, Dominic Thiem 2-0 dhe është ende në garë për një vend në gjysmëfinale të këtij turneu. Në sfidën me austriakun, Federer u shfaq i pqërqendruar që në fillim, ndryshe nga sa ndodhi në përballjen me Nishikorin dhe e vuri shumë shpejt diktatin e tij.

Në setin e parë, Federer mori kryesimin në 3-1 sigurisht duke përfituar edhe nga gabimet e shumta të Thiem, duke e mbyllur këtë fraksion 6-2.

Gjërat nuk ndryshuan as në fillimin e setit te dytë me Thiem që i vijoi gabimet e tij duke e humbur setin me shërbimet e tij. Në këtë pikë Federerit iu desh vetëm të përqendrohej te turnet e tij të shërbimit ku nuk gaboi për të mbyllur përfundimisht llogaritë e sfidës duke e fituar këtë set 6-3 e krejt ndeshjen 2-0.

më herët, u vunë përballë njëri-tjetrit Kevin Anderson dhe Kei Nishikori, një sfidë kjo që nuk pati histori pasi Anderson e dominoi totalisht atë dhe tashmë është shumë pranë kalimit në gjysmëfinale të ATP Tour Finals, pasi jo vetëm që nuk ka humbur asnjë set në 2 ndeshjet e para, por nuk i lejoi kundërshtarët që të fitojnë qoftë edhe një mundësi për ta thyer në turnet e tij të shërbimit.

Tenistit afrikano-jugor iu desh pak më shumë se 1 orë lojë për të fituar këtë ndeshje duke e lejuar japonezin të fitojë vetëm 1 game gjatë gjithë sfidës.

Top Channel