Partitë e djathta evropiane do të zgjedhin kandidatin e tyre për zgjedhjet evropiane të vitit të ardhshëm, në Helsinki.

Partia Popullore Evropiane, më e madhja në Parlamentin Evropian, do të zgjedhë mes gjermanit Manfred Weber dhe finlandezit Alexander Stubb, për t’i udhëhequr ata në zgjedhjet evropiane të majit të ardhshëm. Më shumë shanse, sipas parashikimeve, ka gjermani Weber, i cili erdhi në krye të Partisë Popullore në vitin 2014.

Ai konsiderohet si njeri i kompromisit, që mundohet ta mbajë të bashkuar grupin e tij. Spektri i 219 deputetëve në Partinë Popullore Europiane është i madh: nga hungarezët djathtistë e deri te belgët liberalë. Sidoqoftë, pa mbështetjen e kancelares Merkel, Manfred Weber nuk do të kishte shans në konkurrimin e tij për t’u bërë kandidati kryesor për zgjedhjet e Parlamentit Europian, në maj 2019.

Merkel thuhet se ka marrë madje edhe mbështetjen e Presidentit francez Emmanuel Macron. Sepse, sipas shumë gjasave, kush del fitues i zgjedhjeve për Parlamentin Europian, bëhet kryetar i Komisionit të BE-së. Nëse ky post kaq i rëndësishëm zihet nga Gjermanët, atëherë në krye të Bankës Qendrore Euoropiane do të vihet një francez.

Sidoqoftë, zgjedhja si kandidat kryesor i PPE-së nuk do të thotë automatikisht kryekomisioner. Për shkak të rritjes së numrit të populistëve të djathtë në të gjithë Europën, nuk dihet ende se si mund të jetë përbërja e Parlamentit Europian, që do të dalë nga zgjedhjet e majit 2019 dhe Manfred Weber duket se është në fillim të një fushate të madhe zgjedhore, së cilës nuk i dihet fundi.

Shanset e tij që të zëvendësojë me të vërtetë Presidentin e deritanishëm, Jean-Claude Juncker, i cili ka qenë 20 vjet kryeministër dhe flet 4 gjuhë të huaja, nuk janë shumë të mëdha. Por, ndoshta në fund mund t’i jepej si ngushëllim një tjetër post tjetër i lartë, si për shembull ai i kryetarit të Parlamentit Europian.

Top Channel