Greqia vijon të kërkojë ende dëmshpërblim për viktimat e saj të Luftës së Dytë Botërore, si dhe ripagimin e një kredie, që u detyrua t’u japë pushtuesve nazistë, gjatë asaj periudhe.

Këto kërkesa u parashtruan nga presidenti Prokopis Pavlopulos, i cili priti në një takim homologun e tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier në Athinë, gjatë ditës së enjte.

Presidenti grek tha se kërkesat e tilla përputheshin me kornizën e “rezistencës kundër atyre që duan të kthehen në një të kaluar të ankthshme”, duke nënkuptuar ngritjen e së djathtës ekstreme në Evropë, përpara zgjedhjeve të BE.

“Ne duam që të merren në konsideratë kërkesat e Greqisë mbi kredinë e okupimit dhe dëmshpërblimet e luftës, që janë edhe ligjërisht aktive”, tha Pavlopulos në takim.

Gjermania ka kërkuar falje për krimet e nazizmit gjatë luftës, por ka thënë se nuk është e gatshme të diskutojë dëmshpërblimet. Ajo ka mohuar se i ka dhënë ndonjë gjë Greqisë për Luftën e Dytë Botërore, pasi i ka paguar Athinës shumën prej 115 milionë markash gjermane në vitin 1960.

Forcat e Hitlerit pushtuan Greqinë në vitet 1941-1944 dhe nxorën një të ashtuquajtur “kredi të okupimit”, që e përdorën për të financuar fushatën e tyre në Afrikën e Veriut.

Greqia u detyrua të dorëzojë 476 milionë marka, të cilat zyrtarët grekë i kanë vlerësuar në 6-10 miliardë euro (6.95-11.5 miliardë dollarë) në ditët e sotme, dhe kërkojnë t’i marrin mbrapsht.

Top Channel