Krishtlindje para kohe për dyvjeçarin e sëmurë me tumor

14/09/2018 13:50

Një lagje e tërë në Cincinnati të Ohios është mobilizuar për të festuar Krishtlindjen, edhe pse muaj më herët. Këtë e bën për të kënaqur një fëmijë dyvjeçar, i cili vuan nga një formë e rëndë tumori.

Historia ka bërë xhiron e botës, e tani janë me dhjetëra mesazhet e urimit. Brody dyvjeçar është i sëmurë dhe pas 98 ditësh në spital, i vogli është dërguar në shtëpi me një diagnozë të qartë: për mjekët, ai ka dy muaj jetë.

Si dhuratë të fundit, familja ka vendosur që t’ia bëjë këto javë të fundit të paharrueshme dhe të lumtura. Por, edhe fqinjët dhe miqtë e të voglit kanë vendosur të bëhen pjesë.

Ata janë organizuar të gjithë për të festuar Krishtlindjen para kohe, pasi i vogli, vështirë se do të mund të priste ardhjen e saj.

Të gjithë kanë dekoruar shtëpitë dhe oborret, e madje kanë dërguar edhe me dhjetëra kartolina urimi për Brodyn.

Top Channel