Gdhendësi i pipave, i fundmi i artizanëve të familjes Skënderi

09/09/2018 22:22

Në tavolinën e vogël, pranë oborrit të shtëpisë, Isuf Skënderi gdhend drurin, duke kthyer disa dege te thjeshta ne vepra arti. Isufi është 62 vjeç dhe është i fundmi i artizanëve të familjes së tij.

“Unë e trashëgojë nga im atë, i cili e trashëgonte nga babai i tij. Ky profesion është i shekullit të kaluar, për të mësuar e kam mësuar që në moshën kur na merrnin prindërit afër”, shprehet Isuf Skënderi, artizan.

Përdorimi i pipave lidhet edhe me një nevojë për shëndetin e duhanpirësve, për të minimizuar nikotinën në gjak. Ndërsa sot këto punime preferohen më së tepërmi për zbukurime artistike.

“Kur digjet cigarja dhe bën thithjen e tymit, tymi kur kalon nëpër vrimën e pipës ftohet. Druri ka vetinë që ftoh nxehtësinë. Pra, laringun nuk ta djeg e dyta, një përqindje e mirë e nikotinës mbetet tek druri”, thotë artizani.

Isufi i druhet humbjes së trashëgimisë së këtij profesioni. Sipas tij, të rinjtë nuk tërhiqen nga punë artizanale por largohen drejt emigrimit. Madje edhe vet fëmijët e tij.

“Ka marrë fund. përdorimi i këtyre që shikoni ju këtu… vdiqa unë nesër, nuk e prek njeri me dorë. Këtu nuk ka kush ta preki. Kush do ta preki? Këtu gumëzhinte lagja…emigracioni. Keq më vjen, më dhëmb shpirti që ta them këtë po iku kjo punë”, thotë Skënderi.

Isufi në më shumë së gjysmë shekulli profesion shprehet se nuk i është ofruar përkrahja dhe ambientet e duhura për të punuar. I vetmi vend i rehatshëm për të mbetet tavolina e tij e vogël. Ai kërkon që artizanet e pakët që kanë mbetur në Tiranë të mbështeten sepse janë pjesë e trashëgimisë kulturore.

“Nuk është i vlerësuar në maksimum. Përderisa nuk mbështetemi, nuk përkrahemi, premtimet kanë qenë nga më të ndryshmet. Ka dy vjet që na thërrasin, jo po tek pazari i ri, jo po tek bulevardi. Ka vende bashkia, nëse do të bëj gjë bashkia apo ministria e kulturës. Të na mbledhin ta organizojmë pasi pak
kokrra kemi ngelur”, shprehet Isuf Skënderi, artizan.

Top Channel