“Mbaje mend çfarë do të bëj…” Përplasja e kreut të PD të Gramshit me policinë

21/07/2018 11:35

Policia ka zbardhur ngjarjen e një dite më parë në Gramsh, ku në komisariat u shoqërua edhe kryetari i Partisë Demokratike të këtij qyteti.

Sipas policisë, mjeti ku udhëtonte Haruni është ndaluar për një kontroll në hyrje të Gramshit, por gjatë kontrollit të dokumentacionit, ai ka kundërshtuar dhe ofenduar punonjësit e policisë. Më pas policia ka shoqëruar makinën me gjithë personat që ndodheshin brenda në Komisariatin e Policisë Elbasan, nga ku ka rezultuar se shoferi ishte i dehur.

Ndaj kreut të PD Gramsh ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Mjeti drejtohej nga Artur Rrodhe, 39 vjeç, banues në Gramsh, ku në të ndodheshin si pasagjerë shtetasit Elmaz Haruni, 51 vjeç, banues në Gramsh dhe E.Z , 35 vjeç, banues ne Gramsh.

Nga ana e shërbimeve të policisë u bë shoqërimi i mjetit tip benz me targë AA 387 MR me gjithë personat në ambientet e Komisariatit të Policisë Elbasan.

Pas testit të alkoolit, drejtuesi i mjetit Artur Rrodhe rezultoi në gjendje të dehur në masën 0.85 mg/l, i cili u arrestua në flagrancë.

Në videon të publikuar nga policia, dëgjohet Haruni teksa fyen dhe kërcënon oficerët e Policisë Rrugore.

“Mbaje mend çfarë do të bëj, o të q… robt”, – janë shprehjet e Harunit drejtuar efektivëve. Në një moment tensioni ai ka tentuar të dalë nga makina, por nuk është lejuar.

Mbi këtë rast reagoi edhe Taulant Balla, i cili ka publikuar videon dhe ngre pyetjet: “Pas këtyre pamjeve, pyetja është a do ta tërheqë PD baltën e mbrëmshme? A duhet zyrtarisht PD të kërkojë ndjesë publike për Lulzim Bashën e Gramshit?”

Top Channel