Ishulli koreano-jugor “pushtohet” nga refugjatët jemenitë

20/07/2018 09:00

Ishulli i Jejut është një nga destinacionet më të preferuara turistike në Korenë e Jugut. Bukuritë e ishullit dhe regjimi pa viza për ta vizituar tërheqin qindra mijëra njerëz në vit.

Por, pikërisht këtë boshllëk që lejon lëvizjen e lirë kanë shfrytëzuar ata që dëshpërimisht duan të ikin nga vendi i tyre: jemenitët e dërrmuar nga lufta civile. Udhëtimi prej 8000 km nuk i ka trembur dhe me qindra refugjatë kanë mbërritur në ishullin koreano-jugor. Rreth 550 jemenitë kanë kërkuar azil në gjysmën e parë të vitit dhe mbërritja e tyre i zuri në befasi autoritetet lokale. Megjithatë, mësohet se autoritetet kanë ndihmuar me qindra prej tyre që të gjejnë punë, në mënyrë që të jetojnë ndërsa shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.

Mediat shkruajnë se pritet që të refuzohen thuajse të gjitha rastet, pasi Koreja e Jugut, mesatarisht pranon vetëm 3% nga kërkesat e përvitshme për azil. Shfaqja e jemenitëve në Korenë e Jugut befasoi edhe popullsinë, duke bërë që me qindra të protestojnë në kryeqytetin Seul, por edhe qytete të tjera për të mos lejuar mbërritjen e emigrantëve të tjerë.

Pankartat “Të mos bëhemi si Evropa” apo “Duam siguri” nuk mungonin në duart e protestuesve, ndërsa autoritetet nxituan dhe përjashtuan Jemenin nga vendet që vizitojnë ishullin Jeju pa viza.

Top Channel