Fshati Kryekuq në zonën Divjakës është një nga fshatrat që po vuan më së shumti mungesën e ujit të pijshëm. Rreth 400 familje të këtij fshati kanë 25 vjet pa ujë të pijshëm.

Thuajse që nga koha e ndërrimit të sistemeve, këta banorë janë përballur me vështirësitë për të siguruar ujin. Si zgjidhje ata kanë gjetur hapjen e puseve me shpenzimet e veta dhe me jo pak kosto. Për të hapur një pus, një familje në këtë fshat ka shpenzuar 2 deri në 3 milionë lekë.

Por kjo nuk është zgjidhja përfundimtare për këta banorë, pasi edhe uji që del nga puset nuk është i pijshëm dhe shpesh herë ai del i ndotur, duke bërë që të shpenzojnë para të tjera për të blerë ujin e pijshëm.

Në fshatin Kryekuq në 25 vite janë shtruar 3 herë linjat e ujësjellësit, por asnjëherë nuk janë vënë në funksion, duke bërë që këto tuba të kalben në tokë. Ndërkohë në çdo fushatë elektorale ata kanë marrë premtimin për të pasur ujë të pijshëm në fshatin e tyre, gjë që nuk ka ndodhur as sot e kësaj dite.

Top Channel