Gjelbërimi i Tiranës, në Milano. Veliaj: Shembull ndërkombëtar

27/05/2018 13:37

Në ditën e dytë të vizitës në Itali, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i ftuar në forumin e arkitekturës dhe urbanizmit në Milano, i organizuar nga fondacioni “Giangiacomo Feltrinelli”, ku morën pjesë arkitektë, urbanistë dhe ekspertë të mjedisit nga disa vende të botës.

Kryebashkiaku prezantoi ndryshimin që po pëson Tirana dhe vlerësoi se, në këto 3 vite, kryeqyteti shqiptar po cilësohet sot si një nga qytetet që duhen marrë shembull për nismat e gjelbërimit.

“Ishte një mundësi fantastike për të treguar historinë e suksesit të Tiranës. Më vjen mirë, që sa herë flitet për qytetet e gjelbra dhe cili është qyteti që ka arritur të gjelbërohet, duke mobilizuar qytetarët në mbjelljen e pemëve dhe hapësirat e gjelbra, Tirana është emri i parë që përmendet. Ishte një mundësi e mirë për të treguar sesi edhe në qytete si Tirana, me mundësi modeste dhe buxhete të vogla, mobilizimi i njerëzve të thjeshtë, disa herë i fëmijëve, të moshuarve, i familjarëve, i atyre që ndoshta s’kanë mundësi financiare, por që duan të lënë një shenjë në qytet, qoftë duke mbjellë një rrënjë peme, ka bërë ndryshimin në Tiranë”, tha Veliaj.

Ai shtoi se mbjellja e pemëve, siç ndodhi këtë vit me 120 mijë pemë të reja, do të jetë një aksion i përvitshëm, deri në krijimin e Pyllit Orbital.

Top Channel