Të jetosh me plehra, e moshuara që mban frymën gjallë në landfill

26/05/2018 20:12

Xhevria 61-vjeçare përshkon çdo ditë 6 km rrugë për të punuar në landfillin e Durrësit.

E lodhur nga kërkimi i një vendi pune, ky vendgrumbullim mbetjesh urbane është kthyer në të vetmen mundësi punësimi për gruan e pashpresë në prag pensioni. Këtu Xhevria mbledh materiale të riciklueshme.

Por me 200 lekë në ditë që siguron nga puna te plehrat e ka të vështirë të mbajë familjen. Në dyqanet e lagjes e ka emrin në listat e borxheve.

Pas orësh të tëra pune mes plehrash, ndërron rrobat dhe merr rrugën e shtëpisë, ku e pret bashkëshorti, dhe ai i papunë, e bija e ndarë nga bashkëshorti së bashku me mbesën e vogël. Të gjithë varen nga duart e saj. Ndihmën sociale nuk e marrin dot.

Djali i familjes shkon çdo tre muaj të punojë në Greqi për të larë borxhet. 20 vjet më parë familja e Xhevries u vendos në Spitallë të Durrësit për një jetë më të mirë, Mbi të gjitha, për të patur qasje në shëndetësi, e sot nga mungesa e këtij shërbimi deklarojnë se kanë humbur katër fëmijë, për të humbur së fundi edhe shpresën e dinjitetin mes plehrave.

Top Channel