Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar për Top Channel se protesta e opozitës është “më idioteskja që mund të ketë thirrur një opozitë jo vetëm në Shqipëri, por në botë”.

“Nuk ka rëndësi nëse opozita proteston apo jo. Kjo protestë është më idioteskja që mund të ketë thirrur një opozitë jo vetëm në Shqipëri, por në botë. Ka pasur debat brenda opozitës për ta zhvilluar tani apo më vonë këtë protestë, por kanë përshpejtuar se e dinë fare mirë se në ditët në vijim bllofi do të qartësohet tërësisht për publikun dhe do të dilnin zbuluar përpara qytetarëve. Këta harrojnë se do të merret vesh e vërteta”, deklaroi Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së pati edhe një “kërcënim” për opozitën: “I vetmi apel që unë kam është që t’i përmbahen ligjit për protestat sepse ata që do të cënojnë rendin do të marrin dënimin sipas ligjit”.

Në lidhje me punën e Kuvendit të Shqipërisë javët e fundit, Balla theksoi se nuk ka pasur asgjë anormale.

“E nis Luli me teatër dhe teatrin e mbyll në orën 11. Më pas, shkon të fleje gjumë. Kuvendi funksionon normalisht, sipas agjendës dhe programit. Edhe komisionet po vijojnë punën normalisht”, u shpreh Balla.

Top Channel