De Vrij, “mollë sherri” në Serie A midis Lazios e Interit

11/05/2018 12:26

Për Stefan de Vrij do të duhet sigurisht një profesionalizëm shembullor që në fushë të japë maksimumin, por ky fundsezoni për të nuk do të jetë i lehtë.

Futbollisti, që zyrtarizoi kalimin nga Lazio tek Interi ende pa u hapur zyrtarisht merkatoja, është kthyer në dilemën më të madhe te skuadra romane, nëse do të luajë apo jo ndaj zikaltërve.

Holandezi në skadencë kontrate me Lazion vendosi të mos rinovonte, duke pranuar një çek të majmë nga Interi për të luajtur me ekipin milanez sezonin tjetër. Ashtu siç e kërkon rregullorja, Interi depozitoi në Ligën italiane formalitetet e rastit, e deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme.

Por, Interi dhe Lazio do të luajnë mes tyre në javën e fundit të kampionatit, e në mungesë të surprizave të bujshme, do të jetë kjo sfidë e drejtpërdrejtë që do të vendosë ekipin që do të kualifikohet në Champions.

Një pjesë e tifozerisë laciale ngriti në mënyrë logjike problemin, nëse De Vrij do të luajë ashtu siç di për të respektuar fanellën, apo do të mendojë për të ardhmen në Champions, aty ku e pret Interi? Pyetje e logjikshme, përgjigjen e së cilës nuk mund ta japë as vet protagonisti.

Trajneri Inzaghi e konsideron lojtarin pjesë thelbësore të formacionit, por shumica e tifozëve të Lazios nuk e duan në fushë ndaj Interit, si frikë për të tradhtuar ekipin për atë që përfaqëson të ardhmen në Champions.

Top Channel