Partizani U19 shkëlqen në Evropë, kalon në raundin e dytë të UEFA Youth League

14/10/2026 16:45

Partizani U19 zyrtarizon kualifikimin për në raundin e dytë të UEFA Youth League ose Champions League e të rinjve. Skuadra e Të Kuqve eliminoi skuadrën malteze Valleta duke e mundur 4-0 në sfidën e dytë të zhvilluar në ‘Shtëpinë e Futbollit’, ndërkohë që kishte fituar edhe ndeshjen e parë, 2-0.

Skuadra e drejtuar nga Fation Muhameti ishte dominuese në këtë 90 minutësh dhe me të drejtë u kualifikua për më tej. Lleshaj ishte ai që zhbllokoi rezultatin për Partizanin në fundin e pjesës së parë me Të Kuqtë e vegjël që morën avantazhin në 1-0, ndërsa në minutat shtesë Formosa shënoi autogol duke i dhënë avantazhin e dytë Partizanit U19.

Në fillimin e pjesës së dytë, Rrenga shënoi golin e tretë për Partizanin U19, ndërkohë që pak minuta më vonë Mali u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. E megjithatë kjo nuk e pengoi Partizanin të shënojë edhe golin e katërt me Hysenin për të fiksuar fitoren 4-0 të ndeshjes, ndërkohë që rezultati i përgjithshëm i të dy ndeshjeve është 6-0. Në raundin e dytë të UEFA Youth League, Partizani U19 do të luajë me 19 vjeçarër e Hradec Kralove, skuadra kampione e Çekisë për këtë grupmoshë.

Top Channel