Ministri i Diasporës Pandeli Majko ndodhet në një vizitë zyrtare në Australi ku u takua me sekretarin për emigracionin, Richard Johnson.

“Në Australi, kryesisht në Melburn, jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh dhe gjysma e tyre flasin shqip, pasi vendi ynë i kushton shumë rëndësi ruajtjes së identitetit të komuniteteve”, tha Johnson.

Ai pohoi se çdo vit, vendi i tij priste një numër të madh emigrantësh, të përkohshëm dhe të përhershëm, duke i lënë hapësirë të veçantë studentëve. Sipas tij, mbi bazën e një programi të përvitshëm, Australia mirëpret qindra emigrantë që duhet të përmbushnin dy kritere kryesore; të jenë të aftë dhe të zotërojnë gjuhën angleze.

“Ne përpiqemi të afrojmë njerëz të aftë dhe 2/3 e atyre që vijnë këtu, e bëjnë këtë përmes programit të bazuar tek meritat. Mund të vish nga çdo cep i botës. Ne i kemi dyert e hapura për personat e aftë dhe që njohin gjuhën angleze”, ishin fjalët e tij.

Ministri Majko vlerësoi politikat e shtetit australian për emigrantët dhe i falënderoi autoritetet për mbështetjen që i kanë ofruar komunitetit shqiptar në veçanti. Sekretari për Emigracionin theksoi se ndihma e Australisë për emigrantët përqendrohej në tre shtylla kryesore, që sipas tij, përbënin edhe çelësin e suksesit; punësimi, arsimi dhe gjuha angleze.

Më pas Majko u takua me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Sydnej. Ndërsa theksoi se diaspora shqiptare në Australi ishte ndër më të integruarat, duke qenë se mësimi i gjuhës shqipe ishte përfshirë në sistemin shkollor, Ministri kërkoi të shkonin një hap më tej, me gjetjen e mënyrave efikase për të joshur brezin e ri drejt gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Ai propozoi që mësimi i gjuhës të ndërlidhej me aktivitete argëtuese. Vëmendje të veçantë iu kushtua projektit për publikimin e librave online, diçka kjo që do të lehtësojë qasjen ndaj gjuhës shqipe në një vend të largët e të madh si Australia.

Ministri njohu pjesëtarët e komunitetit me planin për të mundësuar mësimin e gjuhës shqipe online, përmes videove ku do të përfshihen mësues të kualifikuar. Komuniteti shqiptar në Australi shprehu interes të veçantë për një iniciativë të tillë. U fol gjithashtu për shkollat verore, të cilat siç tha Ministri, do të ishin një mënyrë e mirë për të arritur tek brezi i ri, që do të njihte nga afër historikun dhe kulturën e vendit të origjinës.

Top Channel