Tahiri lë mandatin e deputetit: Do përballem me të gjithë

03/05/2018 15:20

Largimin e Saimri Tahirit nga Parlamenti opozita e duartroket si fitore të një beteje të saj disa vjeçare. Por dhe mazhoranca është çliruar prej faktit se siç do të vepronte në rastin e një kërkese të mundshëm të dytë të prokurorisë për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri. Ish-ministri i Brendshëm tha se i kishte të gjithë përballë, pushka top t’u bëhet deklaroi ai.

“Se kjo nuk është ndeshja ime e fundit, por veç e para”, tha Tahiri.

Djallin Saimir Tahiri e sheh në gjithë krahët tek citon Lulzim Bashën dhe brenda një fjalie dhe Edi Ramën…

“Një herë shtyllë e krimit, një herë dru i shtrembër, vrasin natën e të qajnë ditën”, tha ai.

Dorëzimi i mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri erdhi kur e kuptoi se as të vetët nuk i ka më në krahë.

“Tani janë bërë të gjithë bashkë përballë meje, e pushka top tu bëhet unë këtu jam e do ia dal”, tha ai.

Edi Rama e ka zhgënjyer që në fjalën e tij të parë në Parlament kur e vlerësoi betejën e opozitës kundër hashashit në shtator, ndërsa sulmet e Fatmir Xhafës janë më të forta se të demokratëve…

“Edi Rama në fillim të Parlamentit i falënderoi për kontributin opozitar, kurse pasardhësi im në detyrë me akuza për policinë e kriminalizuar, ia kaloj dhe Saliut dhe Lulit”, u shpreh Tahiri.

Por as heshtjen 6 mujore as largimin nga Parlamenti nuk e quajti ulje kurrizi. “Nuk më paskeni njohur fare dhe rimendojeni mirë”, u shpreh ish ministri i Brendshëm.

Ndërkohë që sugjerimet i kanë ardhur të ndryshme. “Njëri vinte më sugjeronte thuaj ‘nuk isha unë, po Edi Rama koka e trafikut të drogës’ e kështu shpëtoja nga të gjitha. Tjetri thoshte mos të flisja se nuk është punë pasioni e nerva po llogarish”.

Aktin e vet e quan ekzotik në politikë. “Unë këtë e di po sa ç’di çfarë do të bënte kushdo që do të ishte në pozitën time, do shanin prokurorinë gjykatën, do shtonin dozën e blerjes së mediave dhe të tjera si këto. Duke blerë media, portale, sondazhe, në Shqipëri e jashtë Shqipërisë ku në një artikull ku shahem unë, pasohet nga një artikull tjetër ku lavdërohet ai që ka paguar. Duke blerë gazetarë të huaj, ambasadorë, deputetë të huaj”, tha ai.

Kundër ambasadorëve në Shqipëri, ndërsa etiketon palaço deputetët gjermanë. Teksa deklaron se nuk është ai pengesa për integrimin e Shqipërisë, sulmon qeverinë për arsimin, shëndëtësinë apo ekonominë dhe bie më fjalorin politik të opozitës.

“Ndaj oligarkët që i palluan në tendera me paratë e shqiptarëve, lekët që vodhën nga çdo gjë në buxhetin e shtetit, duke paguar 3 herë për një shkollë, 4 herë për një spital, 5 herë për një rrugë,t’i paguajnë sot, nuk ua kam fajin unë. Unë jam shumë i vogël për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE”, tha ai.

U qan hallin policëve për vetingun dhe shpreh habinë e radhës me ministrin e Brendshëm. “Pse nuk e filluan nga vetja me vetingun. Ri e dëgjojmë garën kush e kap peshkun më të madh, ca thonë banda në pushtet, ca në parlament, ambasadorë lart e poshtë flasin për mafiozë, ministri i Brendshëm numëron bandat në televizor, një tmerr që të largohesh e të marrësh valixhen”.

Vetë ai do dalë para drejtësisë pa imunitet në një betejë që thotë se nuk e ka më vetëm të tijën: “Unë nga sot dorëzoj mandatin tim të deputetit”

Ndërkohë pret orën të tjerëve: “Do të ketë për të gjithë një orë e ndoshta do të japin llogari”.

Top Channel